Të dyshuarit për therjen e katër personave me thikë në Ferizaj, rast i ndodhur të hënën (11 korrik), i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Gjykata njoftoi se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”.
Sipas njoftimit të gjykatës, të katër viktimat i përkasin komuniteteve pakicë.
I dyshuari, sipas gjykatës, ka tentuar t’i privojë nga jeta fëmijët të moshës 10 vjeçare dhe 14 vjeçare pjesëtarë të komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuarat, kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar afrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat dërgohen në Qendrën Emergjente në Ferizaj. E mitura 10 vjeçare transferohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa e mitura 14 vjeçare lirohet për në shtëpi”.
Gjykata thotë po ashtu se “ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën E.T. në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.Sh., pjesëtar i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në një kafeteri, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, të cilit i shkaktoi lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj e pastaj në QKUK në Prishtinë, ku është duke u trajtuar”.
Ndërkaq, Gjykata tregoi edhe ngjarjen për rastin e katërt.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën “H.S.” në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore lirohet për në shtëpi”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.