Kur më në fund Kosova po sillet si shtet sovran dhe i pavarur, ajo po përballet me një presion ndërkombëtar, që në fakt tash e sa kohë do të duhej të përdorej ndaj Serbisë, e cila nuk respektoi asnjë marrëveshje të arritur, pikërisht në zyrat e Bashkimit Evropian. Por më paradoksale se kjo është kundërshtimi që disa parti po i bëjnë vendosjes së taksës 100% ndaj shtetit serb.
Është e pabesueshme se si nga Lidhja Demokratike e Kosovës përdoret edhe një situtatë e tillë, kur Kosova theu heshtjen ndaj padrejtësive serbe, për interesa të ngushta partiake e personale, duke lënë anash ato shtetërore. Kjo LDK, që për 3 vjet qeverisje e luajti rolin e të dëgjueshmit karshi secilës shkelje që Serbia i bëri Kosovës, kjo LDK që për 3 vjet qeverisje nuk ngriti pagat, për të cilat tani po del me deklarime mediatike për konsum ditor, kjo LDK që nuk arriti ta bënte Kosovën me ushtri dhe as Trepçën e Prishtinën me ligj. Kaq e rreptë sa po tregohet tani në deklarimet e saj, edhe dialogu me Beogradin do të duhej të merrte fund në kohën e qeverisë Mustafa!
Ndërsa, Vetëvendosje që brohoriti për krijimin e ushtrisë dhe reagim ndaj veprimeve të Serbisë, të dyja këto tashmë të realizuara, del dhe kritikon ashpër qeverinë Haradinaj. Si mund të trajtohet seriozisht dikush që bëri ç’mos për të rrëzuar nga qeveria një parti, liderin e së cilës e ofendoi, ndërsa tani po e lavdon? Para se të merremi me akuza të pabaza, le të fokusohemi të gjithë në marrëveshjen me Serbinë, që zgjon shumë pikëpyetje; Kush na garanton që një marrëveshje e tillë na garanton ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Kina dhe Rusia dihet çfarë mendojnë për Kosovën?
Si garantohet mos bllokimi i rrugës të integrimit evropian nga pesëshja e Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën? Si mund të ketë marrëveshje të frytshme me Serbinë, kur deri më tani kanë përfituar vetëm kjo e fundit?
E mbështes fuqishëm vendosmërinë e kryeministrit Ramush Haradinaj për ta trajtuar me seriozitetin më të madh fatin e shtetit tonë.
Sfida që kemi përpara është më e rëndësishme sesa politikat ditore, prandaj duhet të jemi të vendosur dhe unik që të mos biem në lajthitje kur të vendoset për fatin e vendit tonë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes finale me Serbinë.