Paragllajdingu është produkti më i ri turistik që u lansua në Prizren

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Vizitorët në Prizren tani mund të shijojnë pamjen e qytetit duke e parë atë nga qielli. Aero Klub Shkaba hapi sot sezonin e paragllajdingut dhe në të njëjtën kohë lansoi këtë produkt të ri turistik në zonë. Përveç shtimit të shumëllojshmërisë së gjërave që mund të bëhen në Prizren, ky produkt i ri komcercial do të shtojë së paku 7 vende të reja pune për pilotët dhe do të ndikojë në mënyrë indirekte në rritjen e të ardhurave të ofruesve të shërbimeve të turizmit.

Për Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, “Paragllajdingu është një mundësi e re dhe e shkëlqyeshme për zhvillimin e qytetit të Prizrenit. Ky aktivitet mundëson pikërisht promovimin e llojit të turizmit që ofron Prizreni: atij malor, meqë nisja bëhet prej majës Cvilen, dhe turizmit kulturor në qytet, meqë aterohet në stadiumin e qytetit. Si më tregojnë pjestarët e këtij klubi, Prizreni është ndër qytetet e rralla në rajon që mundëson fluturime paragllajdingu mbi qytet dhe ne dëshirojmë që këtë mundësi ta shfrytëzojmë sa më mirë”.

Paragllidingu si një aktivitet turistik komercial është konceptuar dhe tani zhvillohet nga Aero Klub Shkaba, që ka shërbyer si bazë për entuziastët e paragllajding që nga viti 2010. Vizioni i klubit është zhvillimi i turizmit sportiv, i cili jo vetëm që ndihmon në promovimin e Kosovës, por gjithashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e banorëve të kësaj zone.

“Me këtë produkt të ri Prizreni bëhet një destinacion turistik më tërheqës. Garat ndërkombëtare të paragllajdingut që ne i organizojmë në qytetin tonë tani do të dalin në tjetër nivel”, tha Ardall Celina nga Aero Klub Shkaba në ceremoninë e mbajtur në Cvilen, që është dhe pika e nisjes për paragllajding.

Anëtarët e klubit të paragllajdingut e kanë shndërruar pasionin e tyre në produkt komercial përmes bashkëpunimit me Komunën e Prizrenit dhe projektin Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Komuna e Prizrenit ndihmoi me përshtatjen e pistës per fluturime komerciale, pasi më herët, kjo pistë është përdorur vetëm për fluturime solo, ndërsa me mbështetjen e PPSE-së, klubi bleu pajisje fluturimi, trajnoi pilotët sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe tani do ta promovojë këtë aktivitet të ri në Prizren.

Që nga themelimi i vet, Aero Klub Shkaba e ka rritur anëtarësinë dhe shumëllojshmërinë e aktiviteteve. Anëtarët e klubit kanë marrë pjesë në gara dhe kanë fituar çmime në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Qëllimi i PPSE-së është rritja e punësimit përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. PPSE implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme