Paralajmërimet për vërshime, Kastrati: Kosova nuk rrezikohet nga reshjet

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Kosova nuk pritet të përballet me reshje të mëdha shiu, e rrezik të përmbytjeve gjatë ditëve të ardhshme.  

Kështu ka thënë për Telegrafin, Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

Megjithëse mediet gjermane kanë paralajmëruar se reshjet e shiut do të shkaktojnë përmbytje masive në disa shtete si Shqipëria, Greqia, Italia e do të preket edhe Kosova, në vendin tonë nuk pritet të ketë situatë shqetësuese.

“Është fjala për Greqinë, Italinë, një pjesë të Shqipërisë, por ne jemi në periferi të atij cikloni që është duke kaluar dhe nuk do të ketë, nuk parashikohet që të ketë probleme me vërshimet”, tha Kastrati për Telegrafin.

Tutje, Kastrati theksoi se niveli i lumenjve është minimal për shkak të thatësirës, prandaj edhe nuk ka rrezik për vërshime.

“Brenda pesë ditësh kjo do të kalojë, do të ketë mot me shi, do të ketë intervale me intensitet pak më të lartë të reshjeve, por kur e kemi parasysh që ka qenë thatësi shumë e madhe dhe niveli i lumenjve është minimal, atëherë nuk ka asnjë rrezik që të ketë vërshime”, u shpreh Kastrati.

Ai sqaroi se nuk parashihet që as reshjet të jenë masive. “Nuk do të ketë reshje masive, nuk parashikohet të jetë ashtu”, theksoi ai.

Shi ekstrem në Greqi dhe Shqipëri deri në javën e ardhshme, kishte paralajmëruar mediumi gjerman Focus.de, sipas të cilit këto reshje shiu mund të shkaktojnë përmbytje masive në lumenj të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj.

“300 litra shi për metër katror në 24 orë dhe deri në 500 litra deri në fund të javës së ardhshme. Kjo është 1.5 herë më shumë se reshjet vjetore në Athinë. Reshjet kryesore janë në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore, të dyja në bregdet”, shkruan mediumi gjerman.

Andaj, duke theksuar faktin se duhet marrë me seriozitet këtë paralajmërim, mediumi gjerman thotë se me këtë mot ekstrem, jeta në Greqinë veriore ose Shqipërinë jugore është në rrezik në ditët në vijim.

Por jo vetëm Shqipëria dhe Greqia preken nga shiu, vë theksin mediumi gjerman, përcjell Telegrafi.

“Bregdeti italian i Adriatikut, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe pjesë të Rumanisë gjithashtu do të kenë shi të fortë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme