Paralajmërohet bojkot i mësimit në UP të enjten, kur merret vendimi për profesorin ngacmues

Prishtinë | 10 Pri 2024 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Feministe Studentore e Kolektivi për Mendim e Veprim Feminist kanë paralajmëruar grevë e bojkot të procesit mësimor në gjithë fakultetet e Universitetit të Prishtinës, në ditën kur Këshilli i Etikës do të marrë vendim lidhur me rastin e profesorit të denoncuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi.

Në letrën e hapur drejtuar anëtarëve të Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës dhe Rektoratit, është bërë thirrje që profesori, i cili është denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, të marrë dënimin e merituar e të përjashtohet nga Universiteti i Prishtinës.

“Duke qenë të vetëdijshme/ëm për këtë qasje të demonstruar nga ana juaj, ne po e nisim këtë letër për t’iu treguar që ne si aktiviste/ë, studente/ë dhe punëtore/ë brenda dhe jashtë UP-së, nuk do të tolerojmë që ky rast të kalojë pa përjashtim të profesorit ngacmues, Xhevat Krasniqi. Letra jonë vjen edhe si njoftim që ne tashmë kemi filluar të mobilizojmë grevë dhe bojkot të procesit mësimor ditën e enjte në të gjitha Fakultetet e UP-së nga radhët e studenteve/ëve, profesoreve/ëve dhe stafit administrativ dhe teknik. Ky bojkot bëhet krahas mobilizimit për vazhdim dhe masovizim të protestave të nisura tashmë nga Lëvizja Feministe Studentore si kundërpërgjigje e animit tuaj në mbështetje të ngacmuesve seksualë brenda UP-së. Ne ju paralajmërojmë që ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë dhe nuk do të tërhiqemi përderisa nuk ka përjashtim të Krasniqit dhe garantim të sigurisë për studentet dhe studentët e UP-së. Përkundrazi, ne do ta vazhdojmë rezistencën dhe kërkesën tonë për siguri dhe drejtësi për çdo studente dhe student të universitetit”, thuhet në letrën.

Në letër thuhet se është ajo që është parë javët e fundit, tregon për indikacione se “në Universitetin e Prishtinës amnistohen dhe normalizohen krimet seksuale”.

Të ngjashme