Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, nuk e ka përjashtuar mundësinë që i gjithë sezoni i Serisë A të suspendohet nëse ndonjë lojtar i klubeve që garojnë në këtë ligë preket nga koronavirusi.
Të dhënat e fundit të konfirmuara nga qeveria italiane raportojnë për 4,634 persona të prekur nga koronavirusi në Itali, ndërsa numri i persona të vdekur nga kjo epidemi ka arritur në 197.
Të gjithë eventet sportive duhet të luhen prapa dyerve të mbyllura, pa praninë e tifozëve në stadiume deri më 3 prill, por situata mund edhe të përkeqësohet.
“Nëse ndonjë lojtar i Serisë A preket nga koronavirusi, ne nuk do ta përjashtonim mundësinë që ta suspendojmë të gjithë sezonin”, ka thënë Gravina, në një intervistë të dhënë për Rai Sport.
“Ne duhet të jemi realistë dhe, në këto rrethana, ne duhet t’i ndërmarrim të gjitha procedurat e nevojshme për ta garantuar pikë së pari shëndetin e atletëve tonë, pastaj ta konsiderojmë se çfarë ndikimi do të ketë e gjitha kjo në garën sportive”.
“Ne nuk mund të përjashtojmë asgjë për momentin, por ne gjithashtu nuk duhet të ëndërrojmë për hipoteza për një situatë që për momentin nuk mund ta parashikojmë”.
E gjithë agjenda është ndryshuar shkaku i shtyrjes së gjashtë ndeshjeve nga xhiroja e 26-të, kështu që ato ndeshje do të luhen këtë fundjavë.
“Ndeshjet që zhvillohen pa praninë e tifozëve natyrisht se nuk janë ndeshje të plota, por zënkat mes presidentëve të klubeve për interesat e tyre e jep një imazh shumë të keq për futbollin italian. Të gjithë ata që interesohen vetëm për pjesën e vet e përfaqësojnë vdekjen e ngadaltë të sistemit sportiv tonë”. /Gazeta Express/