Athina zyrtare nuk heq dorë nga kërkesa e saj për lirimin sa më parë nga burgu të kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri.
Kryeministri Kyryakos Micotaqis ka ngarkuar deputetin e partisë “Demokracia e Re”, Angelos Syrigos, i cili është takuar paraditen e sotme me Belerin në qelinë ku ai mbahet i izoluar prej 3 muajsh.
Ndërkohë zyrtari grek në një konferencë për mediat theksoi se Beleri duhet liruar sa më parë, pasi izolimi i tij është një skenar me prapavijë politike.
Deputeti tha se ka dhjetëra akuza për korrupsion në zgjedhjet e 14 Majit, dhe vetëm Beleri ndodhet sot pas hekurave, duke i hequr të drejtën për t’u betuar.
Syrigos deklaroi se ndaj Belerit nuk është respektuar prezumimi i pafajësisë, ndërsa kërcënoi Shqipërinë me integrimin në BE.
“Nuk është respektuar prezumimi i pafajësisë, pse qeveria nuk e lejon të bëjë betimin si kryetar bashkie. Është shkelje e të drejtave civile.
Ky rast dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve. Hapi tjetër do të ndodhë për Shqipërinë në BE, sepse BE luan rol të rëndësishëm në respektimin e të drejtave. Nga 31 raste të hetuara për korrupsion zgjedhor, vetëm Beleri është në burg.
Kjo çështje mund të bëhet pengesë për integrimin. Hapi tjetër fatkeqësisht do jetë në BE ndaj Shqipërisë. Nuk kuptojmë pse një i zgjedhur nuk mund të betohet”, tha ndër të tjera Syrigos.