Parandalimi i korrupsionit në prokurimin publik, sfidues për Kosovën, APK-ja kërkon bashkëpunim ndërinstitucional

Prishtinë | 13 Dhj 2024 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP) ka mbajtur aktivitetin me temën “Prokurimi Publik – Mundësi dhe rrezik: Roli i institucioneve mbikëqyrëse, parandaluese dhe rregullatore”, ku u kërkua që lufta kundër korrupsionit të trajtohet nga institucionet si një përgjegjësi me seriozitet.

Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj tha se bashkëpunimi ndërinstitucional për të luftuar korrupsionin është shumë i rëndësishëm.

“Sot jemi mbledhur këtu jo thjesht për të diskutuar një temë, por për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të adresuar një nga sfidat më kritike me të cilat përballemi si shoqëri – prokurimin publik. Kjo tryezë, organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar integritetin dhe besimin në institucionet tona.  Dua t’ju falënderoj secilin prej jush që keni gjetur kohën të jeni këtu. Prezenca juaj tregon përkushtimin tuaj ndaj diçka je më të madhe se vetja – një vizion për një Kosovë më transparente, më të ndershme dhe më të drejtë”, tha ai.

Kjo temë, “Prokurimi Publik – Mundësi dhe Rrezik: Roli i Institucioneve Mbikëqyrëse, Parandaluese dhe Rregullatore”, ai tha se prek të gjithë.

“Prokurimi publik është një instrument kyç për të ndërtuar komunitete më të forta, për të avancuar mirëqenien dhe për të garantuar që burimet e kufizuara të përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, për të arritur këtë, ne duhet të adresojmë rreziqet – korrupsionin, keqpërdorimin dhe mungesën e transparencës – që dëmtojnë besimin e publikut dhe zhvillimin tonë të përbashkët. Si institucione përgjegjëse, ne kemi një detyrë të përbashkët, që të identifikojmë problemet dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, të sigurojmë që çdo procedurë prokurimi është një shembull i ndershmërisë dhe efikasitetit, dhe mbi të gjitha, të mbrojmë interesin publik me përkushtim dhe guxim”

Buleshkaj tha se në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, lufta kundër korrupsionit është një përgjegjësi që merret me seriozitet.

“Ne jemi të përkushtuar që të monitorojmë proceset, të ndihmojmë institucionet dhe të mbështesim sinjalizuesit që flasin për padrejtësitë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm. Suksesi ynë kërkon partneritete – me sektorin privat, me shoqërinë civile dhe me të gjithë ju që jeni këtu sot. Në këtë drejtim, më lejoni të përmend një koleg të veçantë që do të ndajë përvojën e tij sot – z. Burim Sadiku nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Z. Sadiku ka një përvojë të gjatë dhe të spikatur në hetime, duke përfshirë fushën e prokurimit publik. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në analizën e rasteve komplekse, hartimin e planeve të integritetit dhe në forcimin e mekanizmave që synojnë parandalimin e korrupsionit”, tha ai.

Buleshkaj tha se bashkëpunimi që do të zhvillohet në këtë forum është më shumë sesa një diskutim mbi sfidat dhe mundësitë.

“Është një angazhim i përbashkët për të ndërtuar një sistem që mishëron transparencën, përgjegjësinë dhe drejtësinë. Pra, sot, ndërsa dëgjojmë mendimet dhe përvojat tuaja, unë ju inkurajoj të shikoni përtej problemeve dhe të shihni potencialin. Potencialin për një sistem ku çdo tender, çdo kontratë dhe çdo vendim është një pasqyrë e vlerave tona më të mira. E ardhmja jonë nuk është e paracaktuar; ajo ndërtohet nga veprimet që marrim sot. Dhe unë besoj se, së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku integriteti dhe besimi janë në zemër të çdo gjëje që bëjmë”, tha Buleshkaj.

Të ngjashme