Policia e Kosovës, respektivisht njësitë e Task Forcës, kanë identifikuar një kombi pa targa, me ç’rast gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar mallra të dyshuara për kontrabandim, pa dokumente përkatëse.
Përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës, thuhet se ky operacion u ndërmor për të parandaluar kriminalitetin dhe dukuri të tjera negative.
“Policia e Kosovës, respektivisht njësitë e Task Forcës, në kuadër të Policisë Kufitare – Lindje, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative, kanë intensifikuar angazhimet operative dhe ushtrimin e autorizimeve policore në terren, ku si rezultat është identifikuar një mjet i dyshuar/kombi pa targa, i cili është zënë në flagrancë duke hyrë ilegalisht nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës. Pas ndalimit të mjetit të dyshuar nga ana e zyrtarëve policorë është legjitimuar drejtuesi i mjetit, i dyshuari mashkull kosovar, tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar mallrat e dyshuara për kontrabandim, pa dokumente përkatëse”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Teksa në vazhdim, kanë treguar se çfarë lloji i mallrave është konfiskuar.
“Mallrat e dyshuara janë si në vijim: 99 pako me nga 12 kg mjaltë, 1188 copë kavanoz qelqi, 100 pako me çajra për dobësim “Nerox”, 200 pako me çajra “Detoxs”, 300 copa sprej “Viga 150000”, 100 kutia x12 copë ”Exellent Q7”, 200 copa “Titan Gel”, thuhet tutje në njoftim.
Andaj, me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “kontrabandim me mallra” dhe është dërguar në terminal doganor.