Si ecim
Kur ecim rrugës, të kemi parasysh se asgjë nuk mund t’ia lëmë rastësisë dhe se janë në këtë fushë disa rregulla që duhen respektuar. Të mos e bëjmë zakon që të vrapojmë vazhdimisht (shpeshherë me celularin në vesh), se jemi vonuar për diku, ose të ecim të kërrusur dhe hundë e buzë, se kemi halle. Do t’u krijojmë strese edhe njerëzve që na rrethojnë, dhe do të bëhemi të bezdisshëm, madje vetë ne kemi për ta kuptuar se kemi ndryshuar për keq.
Le të ngrihemi një gjysmë ore përpara dhe të hartojmë një program që mund të respektohet. Hallet tona le t’i lëmë në shtëpi, të paktën që të mos na mëshirojnë të tjerët. Ia vlen ta bëjmë këtë gjë!
Kush nuk e ka admiruar ecjen e shkathët dhe elegante të manekinëve ndër sfilata dhe të aktoreve? Asgjë nuk kanë të panatyrshme, asgjë të sforcuar. Por, në përgjithësi, nuk para mendojmë për lodhjen që kanë ndier, dhe ushtrimet që kanë bërë vazhdimisht këto vajza (të cilat i admirojmë) që të mund të na japin përshtypjen se nuk ecin, por notojnë. Në të gjitha shkollat e këtij profili – djemtë ose vajzat – stërviten më parë të mbajnë majë kokës një libër a një send të rëndë.
Le ta provojmë edhe ne, në shtëpi, së paku pesë minuta çdo ditë, të hedhim disa hapa me një peshë të tillë majë kokës. E ecura jonë do të bëhet më e sigurt. Po të vazhdojmë të bëjmë disa prova të tilla, me siguri që do të kemi sukses.
Pra, ta kontrollojmë veten vazhdimisht se si ecim: të mos i përkulim supet përpara, të mos i lëvizim krahët në mënyrë të tepruar, të ecim me hapa normalë, as shumë të mëdhenj, as shumë të vegjël, ta futim barkun brenda dhe ta mbajmë kurrizin drejt. Le t’i kujtojmë sa më dendur këto gjëra, sa herë që ecim rrugës.