Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar për motin që do të mbajë sot dhe gjatë ditëve të ardhshme.
Sipas këtij instituti, gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell, vranësira dhe herë-herë me reshje shiu, ndërsa në viset kodrinoro-malore parashihet të bie shi dhe borë.
“Reshjet parashihen ditën e martë, të mërkurën dhe të premten, derisa ditët tjera parashihen të kenë edhe intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 deri -4 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale parashihen të lëvizin ndërmjet 8-13 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.
IHMK-ja, thotë se do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit dhe verilindjes me shpejtësi 1-9 m/s. Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë relativisht të mira dhe të favorshme, për shkak të prezencës së këtyre elementeve dhe dukurive meteorologjike.