Parashkruhen mbi 4 mijë lëndë në gjykatën e veriut

Mitrovicë | 28 Qer 2017 | 09:18 | Nga

Ndonëse ka kaluar edhe afati i fundit për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për integrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë, këta thonë se edhe më tutje do t’i kenë dy sisteme të drejtësisë, njëri i Serbisë e tjetri i Kosovës.

Sipas tyre, integrimi nuk do të ndodhë edhe 10 vjet, ndërsa nga viti 2008 e deri më tani në veri janë parashkruar mbi 4 mijë lëndë civile dhe penale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Veriu i Mitrovicës dhe përgjithësisht i Kosovës vazhdon të mbetet krejtësisht jashtë sistemit kosovar të drejtësisë.

Marrëveshja për Integrimin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve Serbë në Sistemin Kosovar të Drejtësisë, e cila është nënshkruar në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, e arritur më 10 shkurt 2015 ende nuk është zbatuar, ndonëse afati i fundit ishte 10 janari i këtij viti.

Marrëveshja e Brukselit për Gjyqësorin e Integruar nuk gjen zbatim për shkak të obstruksioneve të gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë, të cilët ndonëse janë dekretuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi kanë refuzuar të integrohen me arsyetimin se kanë probleme të pazgjidhura me sistemin e drejtësisë së Serbisë.

Prokurorë dhe gjyqtarë serbë thonë se edhe më tutje do të ketë dy sisteme të drejtësisë në Kosovë, ai i Serbisë dhe ai i Kosovës, dhe se kjo situatë nuk do të ndryshojë edhe për 10 vjetët e ardhshme.

Nikolla Kabashiq, i cili veten e quan kryetar të Gjykatës Supreme në veri të Mitrovicës, sipas sistemit serb të drejtësisë, si dhe disa nga gjyqtarët dhe avokatët serbë thonë se integrimi i tyre nuk do të ndodhë fare, pasi që, siç janë arsyetuar ata, paraprakisht duhet të ndryshohet Kushtetua e Serbisë, “e cila nuk lejon sistem tjetër të drejtësisë në territorin e vet”.

Në këtë mënyrë, gjyqtarët dhe prokurorët serbë ashtu siç marrin instruksione nga qeveria e Serbisë e konsiderojnë Kosovën pjesë të shtetit të Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme