Paris Saint-Germaini do të luajë ndeshje jetike në Ligën e Kampionëve në udhëtim kundër Manchester Unitedit, të mërkurën. Nënkampioni i sezonit të kaluar të Championsit e ka parasysh se kostoja e eliminimit eventual në fazën e grupeve do të jetë e madhe si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Çdo gjë më pak se fitorja në “Old Trafford” do t’i prishte punë kampionit të Francës, që do të duhej vetëm në xhiron e fundit ta kërkonte kualifikimin në fazën e nokautit.
Ndeshja mes Manchester Unitedit dhe PSG-s nis në orën 21:00 dhe i takon xhiros së pestë, të parafundit të Grupit H.
Penalltia e realizuar nga Neymari i dha fitoren PSG-së javën e shkuar kundër RB Leipzigut, por ekipi i Thomas Tuchelit pati një paraqitje shumë të dobët. Megjithatë, Tuchel beson se ndaj Manchesterit ekipi i tij do ta tregojë gjithë potencialin që ka.
PSG-ja është në krye të Ligue 1, ndonëse diferenca e pikëve me rivalët është shkurtuar dukshëm në javët e fundit pas paraqitjeve zhgënjyese. Në ndeshjen e fundit kampionale, PSG-ja barazoi 2:2 ndaj Bordeauxit.
“Nuk ka asnjë mënyrë që të luajmë edhe ndaj Manchesterit sikurse në ndeshjet e fundit. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikët maksimale për të bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën tjetër”, është shprehur Tuchel. “Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj se jemi të gatshëm të dëshmojmë forcën tonë”.
Do të ketë pasoja potencialisht të mëdha nëse parisienët nuk arrijnë të kualifikohen në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, diçka që PSG-ja e ka arritur në secilin prej tetë sezoneve të fundit që kur u bë e rregullt në këtë garë. Tuchel ka kontratë me PSG-në deri në fund të këtij sezoni dhe drejtori sportiv Leonardo nuk besohet të jetë një tifoz i madh i gjermanit, ndonëse ka hedhur poshtë raportimet se po kërkon një trajner tjetër.
“Sinqerisht, klubi nuk ka menduar kurrë për një trajner tjetër për ta zëvendësuar Tuchelin. Tani është koha të përqendrohemi në objektivat tona dhe të qëndrojmë së bashku”, tha Leonardo.
Pavarësisht kësaj, është e vështirë të imagjinohet që Tuchel do të mbijetojë te PSG-ja, në rast të një dështimi evropian. Pas arritjes në finale sezonin e fundit, krerët e PSG-së besojnë se ekipi mund të përsërisë një sukses të tillë, ndoshta edhe ta fitojë këtë garë.
Manchester Unitedi me fitore eventuale ndaj PSG-së do të siguronte kalimin në fazën tjetër, një xhiro pa përfunduar faza e grupeve. Për herë të parë sulmuesi i ekipit anglez, Edinson Cavani, do të luajë kundër ish-ekipit të tij. Cavani para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Manchester Unitedit si futbollist i lirë dhe e njeh mirë PSG-në, ekip te i cili luajti për shtatë sezone.
“Cavani do të jetë arma jonë më e fortë në duelin kundër PSG-së. Ai mund të na siguroj kalimin tutje. Po luajmë mirë në ndeshjet e fundit dhe besoj te ekipi im, i cili është plotësisht i gatshëm për këtë duel. Natyrisht, që nuk do të jetë lehtë për shkak se përballë kemi PSG-në, por mund t’ia dalim sikurse në ndeshjen e parë”, tha trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, duke aluduar në fitoren e ekipit të tij në Paris (2:1) në xhiron e parë.
Manchesteri është lider i grupit me nëntë pikë, tri më shumë se PSG-ja dhe Leipzigu që renditen në pozitat dy dhe tre, ndërsa Istanbul Bashakshehiri është i fundit në tabelë me tri pikë të mbledhura. Ndeshje tjetër që mund të përcaktojë liderin e grupit të mërkurën mbrëma, është edhe ajo që do të zhvillohet në Gjermani ndërmjet Borussia Dortmundit dhe Lazios. Ky takim i takon Grupit F dhe nis në orën 21:00. Dortmundi prin në tabelë me nëntë pikë, një më shumë se Lazio. Dueli i parë ndërmjet këtyre dy ekipeve i luajtur në muajin tetor në Itali pati përfunduar me fitoren e Lazios me rezultatin 3:1. Skuadrës së Lazios për këtë ndeshje i kthehet sulmuesi kryesor Ciro Immobile, i cili i mungoi ndaj Brugget e Zenitit shkaku i infektimit me koronavirus, duele në të cilat Lazio barazoi. Immobile në të shkuarën ka qenë pjesë e Dortmundit, por kjo ishte periudha më e errët në karrierën e tij, pasi u largua pas vetëm gjashtë muajve nga ekipi gjerman.
“Immobile është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Fati i ekipit tonë varet prej tij, kështu që kthimi i tij ndaj Dortmundit është shumë i mirëseardhur”, është shprehur trajneri i Lazios, Simone Inzaghi.
Këtë edicion, Immobile ka shënuar tri gola në dy ndeshje të Ligës së Kampionëve. Madje njërin prej tyre Immobile e pati shënuar pikërisht në fitoren e Lazios ndaj Dortmundit derisa dy të tjerë kundër Zenitit. Lazio këtë edicion është kthyer në Ligën e Kampionëve pas një mungese prej 13 vjetësh dhe trajneri Inzaghi synon që ekipi i tij të mos eliminohet herët në këtë garë.
“Nuk jemi kthyer për t’u eliminuar në fazën e grupeve. Kemi një ekip të mirë, i cili mund të shkojë edhe më larg. Na duhet një fitore për t’u konfirmuar në fazën tjetër dhe shpresoj që këtë ta arrijmë qysh në ndeshjen e ardhshme”, është shprehur Inzaghi.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë ajo ndërmjet Clubb Brugget dhe Zenitit, që gjithashtu nis prej orës 21:00.
Në Grupin E do të përballen ekipet që kanë pikë të barabarta, Sevilla dhe Chelsea. Të dyja skuadrat kanë tubuar nga dhjetë pikë dhe te ekipi nga La Liga po shpresojnë që të shkëputen nga Chelsea në duelin në Spanjë (21:00).
Trajneri i Sevillas, Julen Lopetegui, ka paralajmëruar që nuk do ta pushojë asnjërin prej lojtarëve edhe pse në vikend do të përballet me Real Madridin. Si Sevilla ashtu edhe Chelsea, tashmë kanë siguruar kalimin në fazën tjetër por që ekipi spanjoll po synon vendin e parë në grup.
“Është një sfidë interesante, kundër një ekipi që është i formuar për ta fituar Ligën e Kampionëve. Do të luajmë me përbërjen më të fortë të mundshme pasi synimi është që të dalim të parët në grup. Po kalojmë një formë të mirë dhe shpresoj që këtë ndeshje ta mbyllim në favorin tonë”, është shprehur Lopetegui.
E mërkurë
Grupi E
Krasnodar – Rennes (18:55)
Sevilla – Chelsea (21:00)
1. Chelsea 4 10
2. Sevilla 4 10
3. Krasnodar 4 1
4. Rennes 4 1
Grupi F
Borussia D. – Lazio (21:00)
C. Brugge – Zenit (21:00)
1. Borussia D. 4 9
2. Lazio 4 8
3. C. Brugge 4 4
4. Zenit 4 1
Grupi G
Ferencvaros – Barcelona (21:00)
Juventus – Dynamo K. (21:00)
1. Barcelona 4 12
2. Juventus 4 9
3. Dynamo K. 4 1
4. Ferencvaros 4 1
Grupi H
Istanbul B. – RB Leipzig (18:55)
Man. Utd – PSG (21:00)
1. Man. Utd 4 9
2. PSG 4 6
3. RB Leipzig 4 6
4. Istanbul B. 4 3