Paris Saint-Germain ka marrë goditjen e radhës para përballjes së 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të martën mbrëma në udhëtim ndaj Manchester Unitedit.
Gjigantit francez i është lënduar edhe sulmuesi uruguaian Edinson Cavani. Cavani, siç raporton gazeta franceze “L’Equipe”, do të mungojë në ndeshjen e parë në “Old Trafford”, transmeton “Koha Ditore”.
Paris Saint-Germain në një komunikatë ka njoftuar se Cavani ka marrë një lëndim në ije të shtunën në fitoren 1:0 në Ligue 1 ndaj Bordeauxit, duke ia shtuar problemet me lëndime skuadrës, para përballjes me Unitedin e ringjallur.
Parisi në këto ndeshje me Unitedin do të jetë pa superyllin brazilian Neymar, që ka marrë lëndim të shputës. Skuadrës i ka mbetur tash vetëm Kylian Mbappe si opsion i klasës botërore për sulm. Mirëpo, vetë Parisi nuk ka konfirmuar nëse Cavani do të mungojë definitivisht ndaj Manchester Unitedit.
“Tretmani dhe gjatësia e mungesës së tij do të varen nga evoluimi i lëndimit në ditët në vijim”, është thënë në komunikatë të klubit, ndërsa është shtuar se mbrojtësi anësor Thomas Meunier duhet të pushojë deri javën e ardhshme pasi ka marrë një tronditje në kokë.
Cavani u lëndua në fund të pjesës së parë dhe po çalonte pak pasi shënoi golin e vetëm nga penalltia.
Paris Saint-Germain ishte i pafat me lëndime edhe stinorin e kaluar në 1/8 e finales të Championsit, kur u lëndua Neymar, ndërsa skuadra franceze u eliminua në këtë fazë nga Real Madridi.