Parlamenti Evropian miraton raportin e Shqipërisë për anëtarësim në BE

Prishtinë | 19 Maj 2022 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Raporti për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian u miratua me shumicë dërmuese në Parlamentin Evropian, njoftoi raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.

Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, Santosi theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në BE sapo u miratua nga seanca plenare e Parlamentit Evropian me shumicë dërmuese. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, shkroi Santosi.

Raportuesja e PE-së për Shqipërinë, Isabel Maria Santos, gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.

Edhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Didier Reynders, theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë.

Të ngjashme