Pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të mërkurën në Bruksel, Maqedonia duhet të kalojë edhe disa faza deri në anëtarësimin e plotë në Aleancën Veriatlantike, apo ratifikimin e këtij dokument nga Parlamentet e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.
Siç bëhet e ditur nga burime zyrtare në Athinë, Parlamenti i Greqisë, të premten pritet të bëhet vendi i parë që do të ratifikojë këtë dokument me çka edhe zyrtarisht vendi do të njihet me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, me ratifikimit e protokollit nga fqinji jugor hyn në fuqi amendamentet kushtetuese për ndërrimin e emrit të shtetit, cili duhet të përmbushë një sërë obligimesh që dalin nga marrëveshja për zgjidhjen e kontestit.
Pas ratifikimit nga pala greke, Qeveria do të njoftojë t’i gjitha organizatat ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara se Maqedonia nga ky moment quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
Njëkohësisht, Qeveria do të formojë edhe një grup pune për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja. Akti i parë pritet të jetë vendosja e tabelës me emrin në kufirin me Greqinë, si dëshmi se Shkupi është i përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes.
“Ku është rezultat i të gjitha përpjekjeve tona të përbashkëta. Duhej vullnet dhe përkushtim nga e gjithë shoqëria që kjo të bëhet realitet dhe jam e bindur se gjeneratat që do të vijnë pas nesh, do të vlerësojnë guximin dhe përkushtimin e kësaj gjenerate, e cila ka miratuar vendimin për një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar Radmilla Sheqerinska, zëvendëskryeministre dhe ministre e Mbrojtjes.
Procesi i ratifikimit të protokollit nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, sipas pritjeve të Qeverisë pritet të ndodhë deri në fund të vitit, apo më së voni deri nga fillimi i vitit të ardhshëm kur edhe flamuri i Maqedonisë do të ngrihet në selinë e NATO-s në Bruksel.
Nga ana tjetër, nënshkrimi i protokollit në Bruksel në opinion është pritur me entuziazëm, por një pjesë e madhe edhe pa ndonjë eufori për shkak të mënyrës se si është arritur deri procesin që tashmë ndodhet në fazën finale.
“Askush nuk është kundër NATO-s, askush nuk është kundër BE-së, askush nuk është kundër perëndimit, por çështja është se si erdhëm deri këtu. Për disa, është e pranueshme Marrëveshja për emrin, por një pjesë e madhe e shohin vendin si të viktimizuar apo se kemi paguar një çmim shumë të madh për të arritur anëtarësimin në Aleancën veri-atlantike. Kjo ka bërë që të mos ketë eufori. Sikur të mos ishte kusht Marrëveshja e Prespës unë jam i bindur se atmosfera do të ishte krejt ndryshe”, thotë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencë pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim.
Por, Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, thotë se Maqedonia nuk kishte alternativë tjetër për anëtarësimin në Aleancë përveç se marrëveshjes për ndërrimin e emrit. Ai thotë me këtë çështje partitë kanë manipuluar me opinionin duke tentuar ta bindin se gjoja me këtë do të jetë edhe fundi i vendit, gjë që, sipas tij, nuk qëndron.
“Është më se e kuptueshme se një pjesë e madhe e elitave politike mendojnë në interes të partive të tyre, kështu që krijojnë perceptime të ndryshme në opinion se gjoja në këtë procesi jemi të dëmtuar e kështu me radhë. Mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe se të gjithë duhet të mirëpresim rreshtimin e vendit përkrah aleancës më të fuqishme në botë”, vlerëson Ruzhin.