Parlamenti i Libanit e emëron president shefin e ushtrisë

Prishtinë | 09 Jan 2025 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti i Libanit e ka emëruar të enjten shefin e ushtrisë së vendit, Joseph Aoun, si president. Libani kishte dy vjet pa president për shkak të ngërçit politik.

Votimi u zhvillua disa javë pas nisjes së një armëpushimi që i dha fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe grupit militant libanez, Hezbollah, dhe në një kohë kur liderët e Libanit po kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për ta rindërtuar vendin.

Aoun shihej si kandidati i parapëlqyer i Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, mbështetjen e të cilave do t’i nevojitet Libanit për t’u rindërtuar.

Seanca e së enjtes ishte përpjekja e 13-të për ta zgjedhur pasuesin e Michel Aoun, mandati i të cilit mbaroi në tetor 2022.

Hezbollahu e mbështeti fillimisht një kandidat tjetër, Suleiman Frangiegh, liderin e një partie të vogël të krishtere në veri të Libanit, e cila ka lidhje të ngushta me ish-presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. Megjithatë, të mërkurën, Frangieh njoftoi se ishte tërhequr nga gara dhe e mbështeti Aounin, duke i hapur rrugën shefit të ushtrisë të zgjidhet president.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Randa Slim, hulumtuese nga Instituti për Lindjen e Mesme me bazë në Uashington, tha se dobësimi i Hezbollahut politikisht dhe ushtarakisht në luftën e tij me Izraelin dhe rënie e aleatit të tij, Assad, në Siri, së bashku me trysninë ndërkombëtare për të emëruar një president, kanë hapur rrugën për rezultatin e së enjtes.

Sistemi i ndarjes së pushtetit në bazë sektare në Liban bën që të ketë shumë ngërçe për arsye politike dhe procedurale.

Roli i presidentit në Liban është i kufizuar për shkak të sistemit të ndarjes së pushtetit, sipas të cilit, presidenti është gjithmonë një i krishterë maronit, kryeministri mysliman suni dhe kryetari i Parlamentit shiit.

Megjithatë, vetëm presidenti e ka pushtetin për të emëruar ose shkarkuar kryeministrin dhe kabinetin. Qeveria kujdestare që ka udhëhequr Libanin gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur kompetenca të kufizuara, pasi nuk ishte emëruar nga një president në detyrë.REL

Të ngjashme