Zana Bërveniku ka shtatë vjet punë si zyrtare e marketingut në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Pavarësisht kërkesave, asnjëherë nuk ka marrë kontratë të rregullt pune. Bashkë me Bervenikun janë 79 zyrtarë që kanë punuar me Marrëveshje për shërbime të veçanta e që nuk iu janë vazhduar të ashtuquajturat kontrata mbi vepër, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministria e Kulturës tashmë ka marrë vendim që prej 99 zyrtarëve me këtë status, do të mbesin të angazhuar vetëm 20 sish, që janë në listën e pagave.
“Tash e shtatë vjet punoj në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nuk mund ta paramendoj këtë”, ka thënë Berveniku për vendimin e marrë më 5 të këtij muaji.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se konform planit të veprimit në bazë të gjetjeve të Zyrës së Auditorit janë marrë masat e duhura.
“79 zyrtarëve nuk u është vazhduar kontrata pas muajit dhjetor. Kemi vepruar sipas rekomandimeve të Komisionit që e kemi emëruar për këtë çështje”, ka thënë Firzi.
Vendimi është pasojë e gjetjeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Në Raportin për vitin 2015, kjo gjetje cilësohet si “Rekrutime të parregullta”. Aty shkruhet se numri i të angazhuarve me kontrata për shërbime të veçanta në MKRS gjatë vitit 2015 kishte arritur në 100.