Partia e Drejtësisë nuk fiton asnjë deputet në këtë legjislaturë

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 09:48 | Nga Bashkim Bekolli

Partia e Drejtësisë në këtë mandat nuk do të ketë asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi që kandidatët e saj që ishin në listën e PAN-it nuk arritën të marrin votat e duhura për të qenë pjesë e legjislacionit të pestë.

Partia e Drejtësisë, e drejtuar nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe MMPH-së, Ferid Agani, në këto zgjedhje ishte pjesë e koalicionit PAN dhe garoi me vetëm dy kandidatë.

Ekonomia Online mëson se kandidatët Ardian Sejdiu nga Ferizaj dhe Mejreme Uka nga Prizreni, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme dhe kështu Partia e Drejtësisë mbetet e papërfaqësuar në Kuvend.

Kujtojmë se Partia e Drejtësisë në zgjedhjet e vitit 2014 fitoi dy ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Gëzim Kelmendi që tashmë është kryetar i Partisë Fjala dhe Labinotë Demi-Murtezi, që në këto zgjedhje garoi në listën e AKR-së, ishin dy deputetët e PD-së në legjislaturën e kaluar.

Por që Kelmendi me të hyrë në Kuvend për shkak të pakënaqësive me udhëheqësinë e partisë së tij u largua nga PD-ja.

Në këto zgjedhje për dallim nga të tjerat në garë për deputet nuk ishte kryetari i PD-së, Ferid Agani, për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj tij në rastin “Stenta”.

Kujtojmë se Agani për shkak të kësaj aktakuze kishte dhënë dorëheqje nga ministri i MMPH-së një vit më parë.

Të ngjashme