Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë: Ecja drejt Novi Sadit është performancë politike, jo zëri i serbëve nga Kosova

Prishtinë | 30 Tet 2025 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

 “Kjo është vetëm një performancë politike, larg interesave të shumicës së serbëve nga Kosova… Apelojmë: shikoni më thellë se spektakli. Mos pranoni që një operacion mediatik i një numri të vogël njerëzish të paraqitet si fati dhe qëndrimi i popullit serb në Kosovë,” u tha sot nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ata reaguan ndaj lajmit të djeshëm se një grup prej rreth 60 serbësh, gjoja nga të gjitha pjesët e Kosovës, kishte nisur nga Rudnica në drejtim të Novi Sadit për t’i dhënë mbështetje presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe për të “shprehur kundërshtimin ndaj bllokadave dhe ndalimit të Serbisë”, për çka dje raportoi portali lokal Kosovo online.

Sipas këtyre serbëve nga Kosova, ata dëgjuan thirrjen e Vuçiqit për një tubim të madh popullor në Novi Sad, dhe kjo, sipas tyre, ishte “arsyeja që u nisën”.

I njëjti portal raportoi mbrëmë se ky grup kishte mbërritur në Ušće, ku gjoja u pritën me flakadanë, fishekzjarre dhe këngë serbe nga Kosova.

Edhe mbrëmë këta pjesëmarrës në marsh deklaruan se po shkojnë në Novi Sad për ta mbështetur Vuçiqin, i cili “është gjithmonë me ne, serbët nga Kosova dhe Metohia, dhe lufton për ne”.

Spektakël i përgatitur për kamera, larg interesave të serbëve nga Kosova

Sot, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, duke reaguar ndaj lajmit se një grup serbësh nga Kosova po ecën në këmbë drejt Novi Sadit për ta mbështetur Vuçiqin, deklaruan se bëhet fjalë për një “performancë politike” që është shumë larg interesave të shumicës së serbëve nga Kosova.

Kjo parti thekson gjithashtu se:

“Ky grup nuk flet në emër të shumicës.”

Ata e konsiderojnë ecjen e tyre si një “spektakël të përgatitur për kamera dhe moment mediatik”.

“Kjo nuk është shprehje e problemeve dhe nevojave reale të popullit serb në Kosovë. Njerëzit e lirë në Serbi luftojnë për gjëra themelore – siguri, punë, arsim – e jo për përshëndetje politike përpara kamerave dhe pankarta të rastit.”

Ata e akuzuan këtë grup për “paraftqitje të rreme”, gjë që, sipas tyre, “nuk do të kalojë pa pasoja”.

“Kur një numër i vogël njerëzish shpallet si zëri i të gjithëve, kjo ngatërron opinionin publik dhe shpesh krijon perceptimin e armiqësisë nga qytetarët e lirë të Serbisë. Mos lejoni të manipulohemi me sensacione dhe skenografi në vend të argumenteve dhe veprave reale.

Mbështetja për një person apo një parti nuk është masë e patriotizmit. Patriotizmi i vërtetë nuk blihet me tituj të shkëlqyeshëm dhe as nuk shprehet me pozime për fotografi; ai dëshmohet me përgjegjësi, punë për komunitetin dhe luftë për të drejtat e të gjithëve, jo për interesat e tyre dhe thirrjet politike.”

Thirrje qytetarëve të Serbisë

“Shikoni më thellë se spektakli. Mos pranoni që një operacion mediatik i një numri të vogël njerëzish të paraqitet si fati dhe qëndrimi i popullit serb në Kosovë! Ata kanë të drejtë të kenë dhe të shprehin mendimin e tyre, por nuk kanë të drejtë të paraqiten si i vetmi zë i serbëve nga Kosova. Populli serb është i larmishëm dhe dinjitoz; nuk duhet të lejojmë që kjo të reduktohet në një performancë apo përdorim politik.”

Partia shton se edhe vetë këta njerëz po përdoren si “rekuizitë”.

“Sponsorët dhe promovuesit e këtyre veprimeve shpesh instrumentalizojnë njerëzit: i përdorin si rekuizitë për të krijuar përshtypjen e masovitetit dhe lojalitetit që realisht nuk ekziston. Kjo është një taktikë e lirë propagandistike që zhvlerëson zërat dhe problemet e vërteta. Në vend që të diskutohet seriozisht për çështje jetësore, publikut i ofrohet pozim dhe mbështetje teatrale për një politikë që nuk zgjidh asgjë.”

Nga kjo parti pohojnë gjithashtu se disa pjesëmarrës në këto veprime marrin pagesa ditore dhe përfitime materiale për pjesëmarrjen e tyre dhe se nuk besojnë që ata do të ecin vërtet deri në Novi Sad.

“Kjo hedh hije mbi sinqeritetin e qëllimeve të tyre dhe i kthen këto ‘udhëtime patriotike’ në performanca politike të paguara. Ecje deri në Novi Sad – në praktikë, vetëm deri në ndalesën e parë të autobusit. E thjeshtë, por efektive për media,” përfundon reagimi i kësaj partie.

Të ngjashme