Partisë Guxo i bashkohet politologu dhe juristi Blerim Gashi

Prishtinë | 07 Dhj 2025 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Partia Guxo ka njoftuar sot se rrugëtimit të saj politik i është bashkuar Blerim Gashi, politolog dhe jurist, i njohur për angazhimin e tij kundër propagandës dhe dezinformimit, si dhe për kontributin profesional në debatin publik dhe politik në vend.

Në komunikatë theksohet se Gashi sjell me vete përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe në komunikimin strategjik, duke e dëshmuar se “guximi intelektual dhe integriteti personal janë shtylla themelore të qeverisjes së mirë”.

“Angazhimi i tij i vazhdueshëm për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare,” thuhet më tej në njoftim.

Partia Guxo vlerëson se përmes analizave të drejtpërdrejta dhe shkrimeve të guximshme, Gashi ka kontribuar në forcimin e kulturës demokratike në Kosovë.

“Ai ka promovuar vazhdimisht një shtet që u shërben qytetarëve e jo interesave të ngushta”, thekson komunikata.

Me përfshirjen e tij në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, krahas profesionistëve të tjerë të dëshmuar, Guxo thotë se po e vazhdon punën për një qeverisje “të përgjegjshme dhe zhvillimore”.

“Së bashku po punojmë për një Kosovë të pavarur e sovrane, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik,” thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme