Në Kosovë ekzistojnë dhjetëra parti politike. Por, burimi i të hyrave financiare, në shoqëri vazhdon të mbetet çështje e diskutueshme dhe problematike. Kjo pasi këto subjekte, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, u shmangen publikimit të burimeve dhe qarkullimit financiar.
Sipas Ligjit për financimin e partive politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga financimi publik përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës. Shuma e mjeteve buxhetore, dedikuar fondit për mbështetjen e subjekteve politike, nuk mund të kalojë 0,17 për qind të Buxhetit të Kosovës dhe donacionet e tjera.
Përfaqësues të partive politike, thonë se janë transparent sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve financiare.
Partia Demokratike e Kosovës, partia më e madhe në vend, të gjitha mjetet financiare që hyjnë dhe shpenzohen nga fondi i partisë, për çdo tre muaj, raportin e dërgon në Komisionin Qendror Zgjedhor, thotë për Radion Evropa e Lirë, Basri Musmurati, sekretar i kësaj partie.
“Një herë një vit, e bëjmë nga një raport dhe në fund të çdo viti e përgatisim raportin financiar, pasi kemi obligim ligjor ta dorëzojmë në KQZ, dhe deri më tash, këta tre mujor i kemi dorëzuar”, thotë Musmurati.
Në anën tjetër, sipas raportit financiar për vitin 2015 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dërguar me postë elektronike për Radion Evropa e Lirë, nga Lutfi Zharku, zyrtar financiar në këtë subjekt, thuhet se të hyrat e përgjithshme kanë qenë mbi 970 mijë euro. Nga kjo vlerë, 945 mijë euro janë të hyra nga buxheti i Kosovës, kurse gjithsej shpenzime – mbi 450 mijë euro.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, financohet nga fondi i buxhetit dhe donacionet e anëtareve të rregullt dhe të jashtëm, thotë për Radion Evropa e Lirë, Valon Tolaj, sekretar ekzekutiv në këtë parti.
Nga buxheti i Kosovës, gjatë këtij viti, tregon ai, Aleancës i janë ndarë rreth 380 mijë euro, kurse rreth 5000 euro është vlera mujore që sigurojnë nga donatorët.
Tolaj deklaron se AAK-ja gjithmonë është transparente sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve të mjeteve financiare.
“Ka një vit, ne, si Aleancë, që po funksionojmë me sistemin e debitimit direkt, një produkt i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes aplikimit dhe certifikimit në BQK. Kjo e fundit koordinohet me bankat komerciale, donatorët e aleancës, në shuma të vogla, 5-10-20 në bazë të kufizimeve ligjore, bëhet marrëveshje njëvjeçare dhe bëhet debitimi nga llogaritë e secilit donator që i ofron mjete Aleancës(AAK)”, bën të ditur Tolaj.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, raportin financiar e ka të publikuar në faqen e vet zyrtare, ashtu siç kërkohet me ligj. Në këtë raport paraqiten të gjitha pasuritë, të hyrat dhe shpenzimet. Po sipas raportit, gjithsej të hyrat për vitin e kaluar, kanë qenë 602 mijë euro, kurse shpenzimet kanë qenë rreth 590 mijë euro.
Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që duhet të përmbajë bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit të humbjes, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Raporti vjetor financiar i vitit paraprak duhet të mbetet i publikuar së paku një vit në faqet e përkatëse zyrtare.
Përfaqësues të shoqërisë civile, pohojnë se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që vazhdimisht publikon raportin financiar, partitë tjerë qe tre vjet nuk kanë publikuar raporte dhe as që të dihen të hyrat dhe shpenzimet e tyre.
Artan Demhasaj, në Lëvizja “Çohu” thotë se partitë politike janë organizata më jotransparente në Kosovë, të cilat nuk deklarojnë të hyrat dhe shpenzimet financiare.
Sipas tij, mosdeklarimi i të hyrave ndodh për shkak se nuk kanë mundësi t’i arsyetojnë shpenzimet e larta, njëkohësisht edhe donacionet që në të shumtën e rasteve ndodhin të jenë joligjore.
“Në tri vitet e fundit është një amulli sa i përket financimit të partive politike, pasi askush nuk e di sa kanë shpenzuar në këto tri vitet e fundit. Dhe, nuk e dimë se nga janë marrë ato fonde që kanë shpenzuar partitë politike. Krejt kjo në mungesë të asaj se partitë politike nuk e kanë vullnetin politik që raporte e tyre financiare t’i publikojnë në faqet zyrtare të partive politike”, vlerëson Demhasaj.
Po, sipas ligjit, raportet vjetore financiare të partive politike, duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të KQZ-së kanë shkruar se të gjitha subjektet politike i kanë dorëzuar me kohë raportet.
Pas dorëzimit të raporteve në KQZ, ato duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim.
Por, që nga viti 2013, ky komision nuk ka arritur që të zgjedhë auditorët, çka kakrijuar “mjegull” sa i përket burimeve dhe shpenzimeve të partive politike.
Faton Topalli, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për Radion Evropa e Lirë, konfirmon moszgjedhjen e auditorëve. Përveç mungesës së vullnetit politik për ta zgjidhur këtë çështje, Topalli tregon se kanë shpallur konkurs në mars të këtij viti, por nuk ka pasur kompani të interesuara për auditimin e raporteve financiare.
“Nuk është dorëzuar asnjë ofertë, pra nuk ka qenë askush i gatshëm që të merret më auditimin e raporteve financiare të partive politike. Në arsyetimin se shuma e paraparë për auditim për 20 subjekte politike, ka qenë shumë e vogël, për këtë punë janë ndarë 30 mijë euro”.
“Në fakt, unë personalisht, konsideroj se mungon vullneti politik për të bërë auditimin e raporteve financiare të politike,pasi kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe Kuvendi është dashur ta zgjidhë këtë çështje”, thekson Topalli.
Arsye e moszgjedhjes së këtyre auditorëve, sipas Visar Sutajt, nga Instituti Demokratik i Kosovës, po ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik, pasi anëtarët e këtij komisioni, u përkasin partive politike.
‘’Pasi Kuvendi është ngarkuar me përzgjedhjen e auditorëve për auditimin e partive politike, tashmë këta e kanë këtë fuqi. Dhe, kjo krejt varet nga vullneti politik i tyre”, shprehet Sutaj.
Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.
Edhe “Transparency International”, në një nga raportet e publikuara kishte tërhequr vërejtjen se situata është përkeqësuar nga mbikëqyrja e dobët dhe transparenca e kufizuar e partive politike. Kjo mënyrë e sjelljes, sipas kësaj organizate, paraqet edhe shkelje të rregullave të zgjedhjeve, por që nuk është sanksionuar asnjëherë.
Në Kosovë, sipas shoqërisë civile, ekzistojnë disa kompani private, që financojnë gati secilën parti politike, e të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia që e fiton pushtetin.