Partitë politike që garojnë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit nuk e kanë pritur datën zyrtare të nisjes së fushatës. Pas takimeve të mbajtura me mërgatën në Evropë, subjektet i janë kthyer paraqitjes së programeve në Kosovë, në tubimet e mbajtura të hënën dhe të martën, ani se zyrtarisht fushata nis të mërkurën
Disa ditë para se të nisë zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, subjektet politike kanë nisur takimet e mëdha mobilizuese duke i prezantuar kandidatët për deputetë.
Sipas planifikimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, fushata nis zyrtarisht më 17 e zgjatë deri më 28 dhjetor.
Subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, tubimin e parë të madh e mbajti të hënën në Prizren, ku i prezantoi kandidatët për deputet.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se prioritet për katër-vjeçarin e ardhshëm do të jetë sërish siguria.
“Është baza e çdo vendimi, siguria është më shumë se fjalë. Kur qytetari ndihet i mbrojtur ekonomia merr frymë thellë, prandaj siguria është prioriteti i yni në katër vjeçarin e ardhshëm. Kjo siguri do të jetë e begatisë e shoqërisë dhe vendit tonë. Begatia nuk është për disa por për të gjithë. Për ata që nuk kanë, çdo vendim është me rëndësi dhe begatia nuk matet me fjalë por me veprimet që ndjehen. Pasurimi i shtetit është reflektim i pasurisë së qytetarit”, ka thënë Kurti.
E të martën LVV-ja së bashku me partnerët kanë mbajtur tubim në mbrëmje në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.
Edhe Lidhja Demokratike ka prezantuar të martën në mbrëmje 110 kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku kandidat për kryeministër është udhëheqësi i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili ka shpalosur programin politik të LDK-së.
Një ditë më herët, kjo parti ka mobilizuar strukturat në kryeqytet.
“Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK hyn në këtë garë me ekipin më të përgatitur, më përfaqësues dhe më serioz që ka pasur ndonjëherë Prishtina dhe Kosova në përgjithësi, si dhe me ofertën më të mirë politike dhe zhvillimore për qytetarin. Ai vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm të strukturave të Kryeqytetit, duke theksuar se organizimi, serioziteti dhe gatishmëria e tyre janë garanci për sukses”, shkruan në njoftimin e kësaj partie.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se të mërkurën, nga Prizreni do të nisë fushata zgjedhore për garën e 28 dhjetorit.
Hamza i ka ftuar qytetarët të bashkohen.
“Koha për fjalë ka përfunduar. Ka ardhur koha për të vepruar”, ka thënë ai.
Paraprakisht këto subjekte zhvilluan takime mobilizuese me mërgatën në disa qendra evropiane. Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre.
Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore ka ripërsëritur kërkesën ndaj partive politike për respektim të plotë të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. AIP-ja duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka theksuar se çdo përpunim i të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore duhet të bëhet në përputhje me udhëzimet e Agjencisë që rregullojnë komunikimin me votuesit gjatë procesit zgjedhor.
“Përpunimi i të dhënave personale për qëllime të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës. Subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave të qytetarëve”, shkruan në komunikatën e AIP-së.
Në këtë kuadër, AIP-ja ka rikujtuar obligimet kryesore për subjektet politike, përfshirë sigurimin që çdo përpunim i të dhënave personale të bëhet mbi baza të ligjshme, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj; ndalimin e përdorimit të të dhënave të kontaktit të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, nga institucionet apo për qëllime jo-politike, për marketing ose komunikim politik; respektimin e së drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre për marketing politik dhe ndërprerjen e menjëhershme të komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit. Po ashtu është kërkuar shmangia e profilizimit të votuesve dhe përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse, përfshirë kryerjen e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) kur përdoren teknologji me rrezik të lartë dhe garantimin e transparencës së plotë ndaj qytetarëve për qëllimet, bazën ligjore dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale, si dhe publikimin e politikave të privatësisë të qarta, të përditësuara dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit. /koha