Ka disa ditë që LDK-ja dhe partitë politike opozitare, Vetëvendosje, AAK, Nisma dhe AKR-ja po përpiqen që të gjejnë strehë te njëra-tjera, ose ndonjë subjekt tjetër për të hyrë në koalicion parazgjedhor.
Deri më tani asgjë konkrete nuk ka, përveçse koalicionit AAK-NISMA dhe një përpjekje të LDK-së për ta marrë AKR-në.
Por, përderisa këto parti po takojnë njëra-tjetrën, përderisa politikanët po flasin me politikanët, kundërshtari kryesor i tyre, partia më e madhe në vend ka marrë tjetër drejtim.
Kryetari i saj, Kadri Veseli, nuk po e ndalë turin e tij nëpër Kosovë dhe nuk po flet me politikanët, por me qytetarët.
Vizitat nëpër komuna i kishte nisur muaj më parë dhe menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, ato i ka intensifikuar.
Ai madje i ka lënë partitë e tjera shumë prapa me fushatë.
Veseli po vazhdon të nxjerrë video me mesazhe politike, në të cilat po prezanton programin e vet qeverisës, si dhe po vazhdon të takojë pjesëtarë të ndryshëm të shoqërisë si afaristë, fermerë, sportistë, gra dhe të rinj, si dhe strukturat e partisë së tij.