Financimi i partive politike nga bizneset dhe personat juridik duhet të ndalohet me ligj në mënyrë që të mos krijohet klientelizëm mes tyre. Sipas një raporti të organizatës “Çohu” partitë politike kanë përfituar rreth dy milionë euro nga donacionet e jashtme. Ndërsa donatorët e tyre kanë përfituar rreth 220 milionë euro përmes 440 tenderëve publik.
Kështu u tha në konferencën e thirrur nga organizatata “Çohu” lidhur me me financimin e partive politike në Kosovë.
Arton Demhasaj nga organizata ” Çohu” tha se Ligji për financimin e subjekte politike është një ndër ligjet më të pazbatueshme, raporton EkonomiaOnline.
Demhasaj më tutje shtoi se nga raportet klienteliste mes partive politike dhe donatorëve dëmtohen bizneset e tjera për shkak të krijimit të një monopoli në treg.
“Ligji i financimit të partive politike është Ligji më i pazbatueshëm në vend. Ka kriju hapësirë për raportet klienteliste mes partive politike dhe bizneseve,” është shprehur Demhasaj.
Ai vlerëson se është e domosdoshme që të kontrollohet financimi i partive politike, raporton EO.
“E konsiderojmë të rrezikshme sepse një numër i bizneseve kanë arritur të krijojnë një lloj monopoli dhe një kapital shumë të madh që tash e tutje është problem që kompanitë e reja me i bë konkurrencë këtyre.”
“Të ndalohen me ligj mundësia e financimit nga donacionet e jashtme qoftë nga personat juridik, qoftë nga bizneset për shkak të kësaj lidhje.”
“Mendojmë që kjo është kërkesa kryesore që duhet të vendoset me ligj sepse është e rrezikshme edhe për bizneset.”