Partitë në pushtet në Itali po bëjnë thirrje për kujdes sa i përket shfrytëzimit të aseteve të ngrira ruse në mbështetje të Ukrainës, sipas një draft-rezolute parlamentare, ku thuhet se ndikimi ndaj financave të shteteve duhet të vlerësohet me kujdes.
Bashkimi Evropian po synon që të ndajë një pjesë të rreth 210 miliardë eurove nga asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë të ngrira në Evropë, pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022, për të mbështetur një hua për ushtrinë ukrainase dhe nevojat civile të Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa shtete të BE-së, përfshirë Belgjikën, ku janë duke u mbajtur shumica e aseteve të ngrira ruse, janë shprehur të shqetësuara për këtë plan.
Banka Qendrore e Rusisë ka dorëzuar padi për të kërkuar dëmshpërblim dhe ka thënë se planet e BE-së për t’i përdorur asetet e saj janë të paligjshme dhe e rezervon të drejtën për t’i përdorur të gjitha mjetet për mbrojtjen e interesave të saj.
Në dokumentin e ligjvënësve italianë shprehet shqetësimi se Roma do të mund të detyrohej që të kontribuonte në dëmshpërblimin e pretenduar nga Moska, nëse ndonjë veprim ligjor rezulton i suksesshëm, shkruan nacionale.
Dokumenti Italian, i hartuar nga partitë në pushtet – Vëllezërit e Italisë, Lidhja, dhe Forca Italia – i bën thirrje Qeverisë që “të kërkojë nga Komisioni Evropian që të kryejë një ekzaminim të plotë të aspekteve ligjore dhe financiare të të gjitha opsioneve të financimit në tavolinë”.
Drafti, i cili duhet të finalizohet, pritet të votohet në Kuvend të mërkurën pas një fjalimi të kryeministres Giorgia Meloni, para një takimi të udhëheqësve të vendeve të BE-së në Bruksel.
Më tej, në document thuhet se Roma “do t’i kushtojë vëmendje të posaçme çështjes së ndikimit të tanishëm dhe të ardhshëm ndaj financave publike”.
Itania u ka bërë thirrje vendeve të tjera evropiane që të eksplorojnë opsione alternative për t’i plotësuar nevojat financiare të Ukrainës, përfshirë një hua “urë” të garantuar nga fondet e BE-së, sipas personave të afërt me çështjen.