Kur hyjmë në terren zgjedhor, të gjitha mundësitë janë të hapura dhe të barabarta.
Megjithatë, nga aspekti analitik, merret parasysh edhe historiku zgjedhor i subjekteve politike, përfshirë dinamikat dhe situatat politike kur kemi zgjedhje. Sistemi proporcional që ka Kosova është i domosdoshëm në demokracitë e reja në zhvillim për shkak të efekteve që prodhon në rezultatet zgjedhore, duke mundësuar një përfshirje më të gjerë të partive politike në qeverisje dhe në parlament.
Tani që kemi kaluar afatet ligjore për formim të koalicioneve parazgjedhore, mendoj se partitë politike opozitare që synojnë pushtetin e kanë humbur një mundësi të mirë politike për të krijuar koalicione dhe koalicione më të gjera, të cilat potencialisht e bëjnë garën më intensive dhe më të lehtë për votuesin.
Koalicionet parazgjedhore krijojnë një imazh të unitetit dhe të qëndrueshmërisë, krijojnë dinamika më të forta konkurruese, shmangin fragmentimin dhe shpërndarjen e votave tek subjekte të vogla politike, të cilat potencialisht s’munden me kaluar pragun zgjedhor.
LDK-ja- AAK-ja dhe NISMA- sikur të krijonin një koalicion me këtë bazë më të gjerë do ti kishin rritur shanset për sukses më të madh dhe do ta krijonin një momentum politik më intensiv dhe dinamik..