Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Zyrtarë të KQZ-së thonë se deri më tani asnjë nga subjektet politik nuk ka aplikuar me listat zgjedhore, ndonëse faza e aplikimit të tyre është duke vazhduar në KQZ dhe do të përmbyllet me 6 shtator.
Kanë mbetur edhe tre ditë afat kur subjektet politike duhet të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Radio Kosovën se subjektet politike ende nuk kanë filluar aplikimin e tyre për certifikim në KQZ.
Sipas tij, prej 27 gushtit ka filluar afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
“Ky afat do të përmbyllet të premten, më 6 shtator, në orën 24:00. Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga subjektet politike për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha ai.
Elezi tha se subjektet politike përveç që duhet të aplikojnë për pjesë-marrje në zgjedhje, ato duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve të cilët do të garojnë për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Pas pranimit të aplikimit fillon faza e shqyrtimit të tyre dhe nëse ka nevojë kërkohen përmirësimet/korrigjimet, dhe pas kësaj KQZ-ja vendos lidhur me aprovimin apo refuzimin e certifikimit”, tha Elezi.
Gjatë këtij procesi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nuk e mohon mundësinë e refuzimit për certifikim të ndonjë subjekti politik:
“KQZ-ja mund të refuzojë certifikimin e një subjekti politik dhe në këtë rast subjekti politik mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas vendimit refuzues të KQZ-së. Pasi të përmbyllet edhe çështja e ankesave eventuale, edhe pse një subjekt politik është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – mund të tërhiqet nga lista e subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje”, tha ai.
Ndryshe tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, që do të mbahet më 17 shtator.