Partitë politike sytë kah rrjetet sociale për fushatë

Prishtinë | 03 Dhj 2024 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Partitë politike kanë kthyer orientimin kah rrjetet sociale për të bërë fushatë zgjedhore. Njohës të kësaj fushe vlerësojnë se më nuk funksionon bërja e fushatës klasike.

Nga pankarta në rrugë kundërshtarët politikë betejën e tyre të fushatës zgjedhore e kaluan në rrjete sociale.

Por, nëse fushata politike nuk zhvillohet në rrjete sociale e mbetet në formën klasike, mund të quhet fushatë e dështuar, deklaron hulumtuesi Festim Rizanaj nga Hibrid.info. Sipas tij, facebooku mbetet rrjeti social më i përdorur për fushatë zgjedhore, përcjellë nga Tiktok-u.

“Përmes posterëve është arritë një audiencë e kufizuar, sot përmes rrjeteve sociale është audienca e gjerë që nuk kufizohesh prej kohës dhe hapësirës për atë arsye partitë fokusohen në rrjete sociale. Ana negative është që në rrjete sociale përvec faqeve zyrtare ka edhe fan page”, tha Rizanaj.

Drejtimi i fushatës zgjedhore tërësisht në rrjetet sociale është diçka e pritshme, deklaroi Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol. Sipas saj, në këto platforma është numër më i madh i audiencës.

“Është e drejtë e partive politike që të vendosin ku duan ta drejtojnë fushatën e tyre. Është zgjedhja e tyre dhe bërja e kësaj gjëje përmes rrjeteve sociale është e përshtatshme pasiqë e gjithë audienca është në rrjete sociale dhe është më lehtë e qasshme”, tha Bunjaku.

Mirëpo, sipas analistit politik, Arton Demhasaj, në aspektin politik ka shumë ndikim bërja e fushatës në rrjete sociale.

“Normalisht që edhe partitë kanë shkru drejt kësaj sepse mesazhi po shkon më shpejtë tek qytetarët. Ka ndikim dhe arsyeja që kandidatët kanë ardhë sepse ka ndikim të madh politik dhe qytetarët nuk marrin më lajme në formë klasike dhe ka interesim më të madh në rrjetet sociale”, tha Demhasaj.

Sipas Hibrid.info, Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë politike e cila ka përdorur rrjetet sociale për adresim drejt popullit, ku si fillim target kishte rininë./RTV21

Të ngjashme