Partitë politike ua kanë ngushtuar hapësirën kandidateve femra për të garuar për kryetare të komunave në zgjedhjet e 22 tetorit. Në mbi 30 komuna kandidatë për kryetarë janë burrat.
Vetëm pesë kandidate femra për kryetare i kanë propozuar partitë kryesore politike në vend për të garuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Tri kandidate femra i ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës, një Alternativa për Kosovën dhe një Nisma për Kosovën.
Këto nuk janë defektet e vetme në listat partiake për zgjedhjet lokale, por ka kandidatë për kryetarë që kanë aktakuza të ngrehura apo janë nën hetime nga institucionet e drejtësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Analisti politik Ramush Tahiri ka deklaruar për gazetën “Zëri” se politikë të mirëfilltë të kuadrove për zgjedhjet lokale nuk ka në asnjërën prej partive politike.
“Mendoj që kjo mënyrë e kandidimit është veç mënyrë fushate që ofrohet për çdo 4 vjet, përndryshe politikë të mirëfilltë të kuadrove nuk ka asnjëra parti. Prandaj edhe po përsëriten kandidatët dhe po harrojnë partitë që duhet të përpiqen dhe të punojnë vazhdimisht për të sjellë kuadro të reja,në mënyrë që kur të vinë në zgjedhje të kenë garë më të fortë brendapartiake”, tha Tahiri.