Subjektet politike janë të pavendosura në lidhje me propozimin e dy deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani dhe Arben Gashit, për zgjidhjen e problemit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Osmani dhe Gashi kanë propozuar që të arrihet një marrëveshje mes subjekteve politike, marrëveshje kjo e cila pastaj do të shndërrohej në rezolutë të Kuvendit, në mënyrë që institucionet e Bashkimit Evropian të votojnë për liberalizimin e vizave me kusht që ky vendim të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet Demarkacioni. Megjithatë subjektet politike duket se ende nuk kanë qëndrime të prera nëse do ta mbështesin këtë propozim.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se nëse nuk ka kurrfarë përparimi për gjetjen e një zgjidhjeje, atëherë Demarkacioni do të riprocedohet në Kuvend.
Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se ende nuk ka plan të shkruar për këtë çështje se deri më tani dinë vetëm aq sa u tha në Komisionin për Integrime Evropiane.