Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili po përballet me aktakuzë për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”.
Për Telegrafin, Gjykata Themelore ka konfirmuar se seanca e parë do të mbahet më 7 shtator në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga Telegrafi, Sheholli akuzohet se ka vepruar në ndihmë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), në koordinim me zyrtarin e saj, Bojan Dimiq.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka mbledhur dhe përcjellë informacione e materiale lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Një prej episodeve kryesore të përshkruara në aktakuzë lidhet me 26 shtatorin 2025, kur, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte marrë në Mitrovicën e Veriut një dosje me materiale audio dhe transkripte, si dhe 5 mijë euro.
Sipas aktakuzës, këto materiale më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro me qëllim të publikimit të tyre.
Prokuroria pretendon gjithashtu se në telefonin e Shehollit janë gjetur komunikime me numrin që i atribuohet Bojan Dimiqit, ndërsa një pjesë e materialeve të sekuestruara përfshijnë dokumente të cilat Prokuroria i konsideron të lidhura me aktivitetet e shërbimeve serbe.
Në aktakuzë përmendet edhe një dokument i titulluar “Top Secret 2”, për të cilin Prokuroria pretendon se përmban një plan për krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar dhe për destabilizimin e saj.
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmenit. Sipas Prokurorisë, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, ai dyshohet se i ka shkaktuar biznismenit Jetullahu dëm që tejkalon 13 mijë euro, duke përdorur si presion kërcënimin për publikimin e materialeve komprometuese.
Sheholli, sipas aktakuzës, i ka pranuar kontaktet me Dimiqin dhe marrjen e disa materialeve e parave, por ka mohuar se ka punuar për BIA-n ose se ka vepruar kundër interesave të Kosovës. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzën e spiunazhit.
Edhe për akuzën e shantazhit, Sheholli e ka mohuar versionin e Prokurorisë, duke deklaruar se pagesat nga Jetullahu ishin bërë vullnetarisht dhe nuk ishin të lidhura me kërcënime.
Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj Shehollit, ndërsa provat e paraqitura në aktakuzë përfshijnë përgjime telefonike, komunikime nga telefoni i tij, video-incizime, pamje nga kamerat e sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raporte financiare.
Fatmir Sheholli prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.