Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të debatuar rreth aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një reagim të publikuar të hënën, Hoti ka thënë se, pavarësisht protestave që po zhvillohen në Prishtinë pas aktgjykimit, Kuvendi ende nuk është mbledhur për të shprehur qëndrimin institucional të institucioneve të Kosovës.
“Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, ka shkruar Hoti.
Ai ka propozuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit të çështjes në shkallën e dytë.