Të mërkurën do të dihet kush është patriot dhe e do Kosovën. Nuk kemi të drejtë t’i mbajmë qytetarët të bllokuar. Kështu thotë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Ekonomia Online.
Kreu i Kuvendit, njëherësh i PDK-së, beson se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi do të votohet nga shumica e deputetëve, në seancën që është caktuar të mbahet të mërkurën. Kjo marrëveshje, sipas tij, e forcon sovranitetin e vendit dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për procesin integrues drejt Bashkimit Evropian; dhe më e rëndësishmja ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Askush nuk ka të drejtë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të bllokuar”, shprehet Veseli.
Pas arritjes së “konsensusit të gjerë” për demarkaconin, Veseli pret që partitë politike të bëhen bashkë edhe për disa çështje të tjera të mëdha – siç është formimi i Ushtrisë së Kosovës.
“Janë shumë gjëra të cilat mund t’i arrijmë më shpejt bashkërisht. Po flasim për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të cilat Kosovën e qojnë fuqishëm drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Janë reformat ekonomike dhe në sundimin e ligjit drejt Bashkimit Evropian. Dhe është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, që i hapin perspektivë Kosovës në anëtarësimin e NATO-s”.
“Thërras të gjithë ata që janë patriotë, që janë atdhetarë, që e duan Kosovën, koha është që tani të marrim vendime të cilat janë në interesin e qytetarëve. Ditën e mërkurë ta përfundojmë bashkërisht”.
Kryeparlamentari Veseli thotë se pret “reflektim” edhe nga Lista Serbe dhe Vetëvendosje.
INTERVISTA E PLOTË:
Ekonomia Online: Pas arritjes së pajtimit ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe LDK-së sikur po thuhet, për ta shtuar një fjalë në Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror Kosovë-Mali Zi, a është i sigurt tani kalimi i tij në seancën e së mërkurës? Pasi dihet që nevojitën së paku 80 vota të deputetëve, përfshirë shumicën e minoriteteve.
Kadri Veseli: Diçka çfarë është e sigurt – nuk ka kthim prapa. Kemi arritur një konsensus shumë të gjerë, edhe mes pozitës dhe një pjese të opozitës. Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e sovranitetit tonë, ka rëndësi të jashtëzakonshme për procesin integrues drejt Bashkimit Evropian dhe drejtpërdrejt në lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Askush nuk ka të drejtë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të bllokuar. Kosova është e jona e përbashkët, kufijtë tanë janë pjesë e sovranitetit tonë në të cilin jemi duke u përpjekur të gjithë t’i fuqizojmë ata dhe jam shumë i sigurt që ditën e mërkurë, jemi duke bërë të gjitha projektet që të kemi lajm të mirë, atë çfarë e presin shumica absolute e qytetarëve tanë, dhe atë çfarë jemi ne të obliguar ta bëjmë si klasë politike në raport me qytetarin.
Ekonomia Online: A e ka kushtëzuar partneri juaj qeveritar, Lista Serbe, votimin e Demarkacionit me Asociacionin? Cili është qëndrimi juaj për asociacionin e komunave serbe, për formimin e të cilit insistojnë serbët dhe faktori ndërkombëtarë?
Kadri Veseli: Aspak. Asnjëherë deri më tani as që është hapur kjo çështje e bisedës. Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segment të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet por nuk është biseduar asnjëherë për çështjen e Asociacionit që ndërlidhet me ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit. Ajo ne se çfarë i thërrasim të gjithë ata që e donë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, që janë patriot të Kosovës është se në ditën e mërkurë ne duhet të japim lajmin e mirë që të ratifikohet marrëveshja e cila është e shënimit të kufirit dhe t’i hapet perspektivë Kosovës. Duhet njëherë e mirë të mendojmë bashkërisht se vendi ynë është i përbashkët, përgjegjësia është e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë absolute as mbi patriotizmin as mbi kufijtë. Ne duhet të punojmë bashkërisht edhe t’i mbrojmë, por ajo çka është kryesorja edhe ta qojmë edhe më përpara sovranitetin e shtetit tonë, pjesën e integrimeve euroatlantike. Në momentin aktual shënimi i kufirit, ratifikimi i shënimit të kufirit me Malin e Zi ka rëndësi shumë të madhe.
Ekonomia Online: Pse është lënë pikërisht të mërkurën seanca e Kuvendit të Kosovës? A lidhet me vizitën e zyrtarëve të lartë të Brukselit në Kosovë?
Kadri Veseli: Ditën e mërkurë, e mira do të ishte të ishte kryer atë ditë, të enjten e kaluar, ditën e parë kur e kemi pasur seancën. Ju e dini që po kalojmë përmes një procesi ku duhet konsensus nacional të cilin jam shumë i lumtur se ky konsensus është arritur. Është bërë përpjekje shumë e madhe, i falënderoj të gjithë faktorët politikë edhe nga pozita edhe nga opozita e kam fjalën edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kemi arritur në këtë konsensus në zyrën time këtu, të kuvendit, kjo është diçka e jashtëzakonshme e cila për herë të parë pas pavarësisë ne po bëhemi bashkë vetë dhe në të njëjtën kohë kjo është një pjesë e konsensusit të cilën duhet ta vazhdojmë edhe për gjerat të cilat janë më në interes të shtetit tonë. Është çështja e ushtrisë, është çështja e reformave të cilat janë në ekonomi, çështja e sundimit të ligjit, janë çështje të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në të njëjtën kohë në integrimin në Bashkimin Evropian. Ditën e mërkurë është edhe një vizitë e një delegacioni shumë të lartë i Bashkimit Evropian, është presidenti i Komisionit Evropian e cila ndërlidhet drejtpërdrejt me çështjen e liberalizimit të vizave. Partnerët tanë perëndimorë në Bashkimin Evropian janë duke pritur që ne ta përfundojmë këtë çështje në ditën e mërkurë në mënyrë t’i hapet perspektivë Kosovës dhe qytetarëve tanë për integrim në Bashkimin Evropian, po ajo çka është më kryesorja tani është pjesa e liberalizimit të vizave.
Ekonomia Online: Nëse nuk do të kalonte Demarkacioni, a ka pasur rrezik të binte edhe kjo qeveri, sikur ajo Mustafa?
Kadri Veseli: Duhet të kalojë marrëveshje e kufirit. Është interes i Kosovës tonë sovrane dhe të pavarur çështja e ratifikimit të marrëveshjes. Për fat të keq, politika e ka bartur si çështje në familjet tona, si problem i drejtpërdrejtë në çdo familje kosovarë është kjo çështje e cila është preokupim, është shqetësim. Shumica absolute e njerëzve duan që kjo çështje të përfundojë, të ratifikohet marrëveshja e shënimit të kufirit. Dhe kjo është ajo çfarë do të bëjmë.
Ekonomia Online: Kur mund të presim që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen?
Kadri Veseli: Në rend të parë varet nga ne. Nëqoftëse ne e përfundojmë në ditën e mërkurë, nëqoftëse kur them ne do ta përfundojmë ditën e mërkurë është në interes të qytetarëve, është patriotizëm, është atdhetarizëm, është në interes të Kosovës, është në interes të orientimit perëndimor të Kosovës, atëherë ne jemi të sigurt që në muajin qershor deri në muajin qershor do të marrim vetëm sinjalin e gjelbër të vendimmarrjes brenda mekanizmave të cilët janë në Bashkimin Evropian, qoftë në Parlament, qoftë në Komisionin Evropian, pastaj po flasim për ministrat e brendshëm të vendit të BE-së. Një konsensus i cili hap perspektivë qytetarëve tanë që më së largu në dhjetorin e vitit 2018 të lëvizin lirshëm, për arsye se ka qenë një e drejtë e privuar, qytetarët tanë janë të vetmit që aktualisht nuk lëvizin lirshëm. Është një mundësi për intelektualët, është një mundësi për bizneset, është një mundësi për rinin për të parë atë se çfarë e donë, Bashkimin Evropian, perëndimin, edhe kjo do të thotë që do ta bëjmë këtë, jam shumë i sigurt dhe shumë optimist. Kemi punuar, ka një muaj në mënyrë intensive këtë pjesën e fundit për të arritur këtë konsensus. Është arritur një hap shumë i madh. Janë bërë hapa të jashtëzakonshëm.
Ekonomia Online: Z.Veseli, keni thënë se ky konsensus i arritur për Demarkacionin, na duhet për tema të mëdha. Për çfarë e keni fjalën?
Kadri Veseli: Janë shumë gjëra të cilat mund t’i arrijmë më shpejt bashkërisht. Po flasim për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të cilat Kosovën e qojnë fuqishëm drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Janë reformat ekonomike dhe në sundimin e ligjit drejt Bashkimit Evropian. Dhe është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, që i hapin perspektivë Kosovës në anëtarësimin e NATO-s. Janë gjëra të cilat ne duhet t’i bëjmë. Edhe njëherë, thërras të gjithë ata që janë patriotë, që janë atdhetarë, që e duan Kosovën, koha është që tani të marrim vendime të cilat janë në interesin e qytetarëve. Ditën e mërkurë ta përfundojmë bashkërisht. Pres reflektim pozitiv edhe nga pjesa e kolegëve të Listës Serbe, po në të njëjtën kohë edhe Vetëvendosja, që ditë e mërkurë ta përfundojmë këtë çështje, e cila është në interesin e sovranitetit, në interesin e perspektivës drejt integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Intervistoi: Besjana Bajrami
Kamera: Rron Agolli