Shefja e grupit Parlamentar nga Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka thënë se e kanë bërë procedimin e nënshkrimeve të mocionit të më shumë se 42 nënshkrime për rrëzimin e qeverisë.
Ajo ka thënë se ky mocion është përkrahur nga opozita dhe deputetë të pushtetit. Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
“Sot e kemi dorëzuar mocionin. Kemi mbi 42 nënshkrime. Presim që kryesia ta procedojë sa më parë. Falënderoj deputetët që e kanë nënshkruar. Kërkoj edhe nga deputetet tjerë ta votojnë mocionin”, është shprehur Bajrami.
Nënkryetarja e kuvendit Aida Dërguti nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se opozita ka ndërmarr hapin e parë me mocionin, ndërsa hapi i dytë është votimi i tij në Kuvend.
Ajo ka thënë se në ditën kur të shkojë mocioni në seancën e Kuvendit, deputetët duhet të marrin vendimin e duhur në interes të vendit.
“Kohëve të fundit janë rritur zërat kritik nga mazhoranca për qeverinë. Si opozite kemi ndërmarr hapin e parë për procedimin e mocionin. Hapu i dytë i rëndësishëm është votimi i mocionit. Vendimi i takon Kuvendi” , ka thënë Dërguti.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Palë Lekaj tha se përveç LDK-së të gjitha partitë tjera janë për mbarimin e kësaj Qeverie.
Ai u shpreh i bindur se në momentin që thirret seanca, do të rrëzohet Qeveria.
“Kaluan pothuajse 3 vjet të vështira për qytetarët, për opozitën, sepse jemi ballafaquar më shumë procese që qytetarët janë në dijeni. Mirëpo ky hap i sotëm është hap demokratik që i shërben vendit për të mirë, Kosovës për të ndërruar këtë qeverisje”, ka thënë ai.