Përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach pritet që javën tjetër të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Peach i cili është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, po ashtu pritet të vizitojë edhe Kosovën.
Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Ende nuk dihet agjenda e emisarit britanik në Kosovë, ndërkaq në Maqedoni të Veriut ai ka zhvilluar takime me krerët e shtetit dhe opozitën atje.
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Gabriel Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Të hënën, ata zhvilluan takime me presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeministrin Albin Kurti, në këto takime u rikonfirmua edhe një herë mbështetja për dialogun me Serbinë.
Dyshja pohoi se BE dhe SHBA po punojnë bashkërisht sa i përket dialogut në Bruksel dhe mënyrës se si ai do të vazhdojë në të ardhmen.