Nepali është duke u përballur me vështirësi për ta mbajtur nën kontroll shtimin e madh të rasteve me Covid-19, përderisa po shtohet frika se gjendja në shtetin e Himalajeve mund të jetë po aq e keqe, nëse jo më e keqe, sa në Indinë fqinje.
Pas paralajmërimeve të zyrtarëve shëndetësorë këtë javë se vendi është buzë humbjes së kontrollit ndaj pandemisë, autoritetet e Nepalit bënë thirrje për ndihmë urgjente ndërkombëtare, shkruan The Guardian.
Në kohën kur shteti i vogël aziatik e raportoi shifrën më të lartë ditore të infeksioneve – 9.070 – Kryeministri Sharma Oli, që është kritikuar për menaxhimin e situatës, kërkoi nga ushtria që të ofrojë ndihmë për menaxhimin e qendrave emergjente për ta larguar trysninë ndaj sistemit shëndetësor.
Me mungesë të vaksinave dhe me spitale të stërmbushura, përhapja serioze e virusit i ka goditur pjesën perëndimore të vendit dhe kryeqytetin Kathmandu. Përqindja mesatare e testimeve pozitive për Covid-19 është në shkallë alarmante – 47 për qind. Kjo përqindje është edhe më e lartë në pjesë të caktuara të Nepalit.