Krerët koreanoveriorë i kundërpërgjigjen Uashingtonit: ShBA po krijojnë një „situatë lufte” në gadishullin korean, paralajmëron Choe Ryong Hae, njeriu i dytë në Korenë e Veriut, duke theksuar se vendi i tij është i gatshëm “t’i përgjigjet një lufte totale po me luftë totale”. Duke iu referuar rastit që nuk ka gjasë realizimi, përdorimin e armëve atomike kundër Koresë së Veriut nga ShBA, në një fjalim televiziv Ryong Hae, tha, se „jemi gati të reagojmë me sulme atomike kundër çdo lloj goditjeje me armë atomike.
ShBA përmend “opsionin ushtarak”
Pas fjalimit të Chos Ryong Hae filloi në kryeqytetin komunist një paradë ushtarake. Sipas agjencisë koreanojugore, Yonhap, u nxorën raketa ndërkontinentale balistike dhe një nëndetëse me raketa të tilla. Festa e “Ditës së Diellit” i kushtohet themeluesit të shtetit Kim Il Sung, i nderuar si “presidenti i përjetshëm”. Një kult personi është ngritur edhe për djalin e tij, Kim Jong Il, dhe nipin e pushtetmbajtësin e tanishëm, Kim Jong Un.
Parada ushtarake me raketa balistike, 15 prill 2017
Një test i ri atomik do të shkallëzonte edhe më tej gjendjen e tensionuar mes Uashingtonit e Phenjanit. ShBA ka bërë të ditur se po verifikon „opcione ushtarake” kundër Koresë së Veriut. Trump ka deklaruar, se Koreja e Veriut “është një problem, me të cilin duhet të merremi”, duke kërcënuar se do ta ndalë programin atomik të këtij vendi edhe me veprime unilaterale ushtarake.
Reagimi i Kinës e Rusisë
Kërcënimet e Trumpit kanë aktivizuar Kinën e Rusinë. Ministri i Jashtëm kinez, Vang Yi ka paralajmëruar se tensionet aktuale mes SHBA dhe Koresë së Jugut e Koresë së Veriut nga ana tjetër „mund të kthehen në çdo kohë në një konflikt të hapur”. „Por nëse ka luftë, kjo është një situatë, ku të gjithë humbasin e nuk ka fitimtarë”, tha ai.
Edhe Rusia ka reaguar duke kërkuar vetëpërmbajtje.
“Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka thënë, se “Moska e vëzhgon me shqetësim rritjen e tensioneve në gadishullin korean”. Kremlini paralajmëron nga „hapa provokativë”.