Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, është i bindur se mund të tejkalohen pengesat lidhur me Superligën Evropiane dhe Juventusin.
Deklarata e tij më e re vjen vetëm një ditë pasi e kërcënoi Zonjën e Vjetër se do ta përjashtonte nga Serie A nëse nuk heq dorë nga gara elitare evropiane.
Juve, Real Madridi dhe Barcelona janë tri klubet e vetme (nga 12 sosh) që akoma nuk janë tërhequr zyrtarisht nga Superliga Evropiane që dështoi dy ditë pas njoftimit për formimin e saj.
“Natyrisht që kam folur me Andrea Agnelli, e kam për detyrë që të kërkoj dialog dhe të gjej zgjidhje”, ka deklaruar Gravina për agjencinë e lajmeve Ansa.
“Pavarësisht zgjedhjeve që ai do të bëjë, mendoj se kemi gjithçka që është e nevojshme për t’i tejkaluar pozicionet që aktualisht janë të largëta”, ka shtuar kreu i FIGC.