Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi e ka ndryshuar deklaratën e saj për martesat mes gjinisë së njejtë, pas kërkesës për shkarkimin e saj nga aktivistët e komunitetit LGBTIQ+
Përderisa në vitin 2019, Rexhepi kishte thënë se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë, sot ka deklaruar se përkrahë të drejtat e njeriut në bazë të konventave evropiane.
“Ajo deklaratë ka qenë e mëparshme. Por unë përkah të gjitha konventat evropiane për të drejtat e njeriut. Unë i përkrah të gjitha ato sipas konventës evropiane. Unë atë e kam marrë si shembull. Këto janë të drejtat e njeriut, ata vendosin vetë. Ju faleminderit shumë“, tha ajo për Sinjalin.
Aktivistët e komunitetit LGBTIQ+ i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë menjëherë zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi. Kjo kërkesë e tyre vjen pasi politikanja nga komuniteti boshnjak kishte thënë para dy vitesh në një prononcim se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë.
Dy organizata të aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+, “Dylberizm” dhe “Replikë”, thonë se ky qëndrim i Rexhepit dëshmon se ajo ka qëndrime homofobeje.
“Ne si Dylberizm dhe Replikë kërkojmë nga Kryeministri Kurti shkarkimin e menjëhershëm të Emilija Redžepi nga kjo pozitë, si dhe emërimin e një personit që kauzën për të drejtat e njeriu e ka të përbrendësuar në mendime dhe veprime, pa përjashtime”, thuhet në reagim.
“Emilija Redžepi nga partia NDS gjatë vitit 2019 në intervistën dhënë për Kallxo.com, është deklaruar se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë. Kjo dëshmon që Zëvendëskryeministrja e Kosovës, e caktuar për të punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, ka qëndrime homofobike dhe nuk beson në barazi për të gjithë njerëzit. Emërimi i një homofobeje në pozitën e zv. Kryeministres për çështje të pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është tejet shqetësuese dhe e rrezikshme për respektimin e të drejtave të njeriut, më saktësisht të drejtat e komunitetit LGBTIQ+”, vazhdon reagimi i këtyre aktivistëve.
“Dylberizm” dhe “Replikë” mendojnë se emërimi i Rexhepit në pozitën e zëvendëskryeministres e rritë shtypjen dhe diskriminimin që po u bëhet personave të komunitetit LGBTIQ+.