Kosova dhe Serbia janë pajtuar sot në Bruksel për çështjen e targave, e cila përmban tre pika dhe pritet që të fillojë së zbatuari nga 2 tetori i vitit 2021. Bashkimi Evropian pas takimit me kryenegociatorët e të dyja vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ka bërë thirrje që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, duke përfshirë këtu edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
I emëruari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar të enjten se është arritur një marrëveshje mes dy vendeve për çështjen e targave, raporton Demokracia.com.
“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka thënë Lajçak në një postim në Twitter.
Megjithatë, Bashkimi Evropian gjatë takimeve ka dëgjuar edhe shqetësimet e ngritura nga pala serbe, lidhur me formimin e komunave me shumicë serbe.
Për këtë marrëveshje dhe të tjerat që janë arritur nën ndërmjetësimin e tyre, BE ka bërë thirrje që të respektohen dhe të zbatohen nga të dyja palët.
“Gjatë negociatave të sotme, përfaqësuesi i BE-së mori parasysh shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit në lidhje me moszbatimin e Asociacionit / Komunitetit të komunave me shumicë serbe dhe mungesën e një paneli të shumicës serbe të Kosovës në Gjykatën e Apelit në një rast të fundit. Lehtësuesi u bën thirrje të dyja palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së, përcjell Demokracia.com.
Ndërkohë, vlen të përmendet se më 20 shtator Kosova ka dërguar trupa të Njësisë Speciale në kufi me Serbinë, më saktësisht në Jarinje dhe Bërnjak, derisa nuk është lejuar hyrja e veturave me targa serbe.
Ato është dashur që fillimisht, të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës. E gjithë kjo, sipas kryeministrit Albin Kurti u bë për shkak të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, reagoi edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit, tha se duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, meqenëse Marrëveshjet e Brukselit janë të vlefshme./Demokracia.com/