Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të të hyrave të vitit 2024 në Asamblenë e Kryeqytetit, duke kërkuar nga Ministria e Financave që të lirojë edhe mjetet e tjera të bllokuara.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se miratimi i sotëm është një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm pa alokimin e fondeve nga ministri në detyrë.
“Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot,” ka shkruar ai.
Rama theksoi se pavarësisht vendimit të Asamblesë për 28 milionë euro nga të hyrat e këtij viti, ende mbeten të bllokuara 25 milionë euro të hyrat vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar, të cilat sipas tij nuk kërkojnë procedura shtesë.
“Si dhe 25M të hyra vetanake dhe 10M grant qeveritar, në total 35 milionë që ende mbahen të bllokuara dhe që nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit në detyrë për miratim!”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.
Ai ka apeluar që fondet të alokohen sa më shpejt për të mos penguar projektet dhe shërbimet publike në kryeqytet.