Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të vaksinojë edhe mësuesit e Kosovës.
Gjatë takimit të tij me fermerët e Rrogozhinës, Rama është shprehur se ka marrë një mesazh falenderimi nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ka shprehur dëshirën që vendi ynë të vaksinojë mësuesit, pasi për mjekët kanë arritur dozat nga Covax.
Më tej kryeministri ironizoi PD-në duke thënë se këto gjëra nuk bëhen me dëngla, llafe apo duke fjetur gjumë.
“Ne jemi krenarë që po ndihmojmë mjekët e Kosovës. Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falenderuar dhe duke më thënë që meqë morën disa mijëra vaksina dhe do vaksinojnë mjekët, do dëshironte që ne të ndihmonim për mësuesit. Po i thashë! Patjetë! Ne do t’i japim ato që duhet dhe që mundemi, që të vaksinojmë mësuesit e Kosovës. Sigurisht! E si bëhen këto? Me llafe, me dëngla, duke fjetur gjumë?
Dhe ndërkohë që ne jemi në mes të kësaj finalje, dhe ndërkohë që e shikojmë dritën atje, e shikojmë horizontin e sezonit turistik, që falë vaksinimit do të jetë shumë më i lehtësuar dhe kjo do të sjelli shumë më tepër turistë se sa vitin e shkuar. Kjo do të sjelli shumë më tepër punë, shumë më tepër lekë, shumë më tepër ekonomi. Ne tani të kthehemi mbrapsht e këtu të mos vijnë as vaksina, e këtu të fillojë përsëri historia me rrumpallë dhe me infektim. Dhe me njerëz që nuk se kanë idenë se çfarë do të thotë të drejtosh një vend. Që nuk e kanë idenë çfarë do të thotë të rrish pa gjumë për t’u ndenjur njerëzve pranë.
Që nuk e kanë idenë çfarë do të thotë të shkosh të bredhësh gjithë botën, të trokasësh dyert dhe të ulesh në gjunjë të tjerëve, t’ju thuash kemi nevojë. Që nuk dinë si bëhen as miqësitë e as partneritetet, por rrinë bëjnë vetëm dëngla, Europ, Europa, Europa…dhe ndërkohë gjithçka që bëjnë është kundër Europës. Europës që duam të ndërtojmë këtu, se ne nuk e duam Europën që të ikim në Europë, ta çojmë Shqipërinë në Europë. Ne duam që Europën ta sjellim këtu. Shqipëria të bëhet Europë në çdo sektor e drejtim. Dhe si bëhet? Me llafe, apo sa hap e mbyll sytë? Apo me ato recetat magjike? Do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet. Domethënë do ulim prodhimin e qumështit dhe do rrisim prodhimin e djathit, dini ju si bëhet kjo?”, tha Rama.
Këtë të enjte, në 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Rama ka theksuar nga Rrogozhina se vendin në NATO e futi Amerika dhe jo PD-ja.
Gjatë takimit të tij me fermerët, Rama u shpreh se 25 Prilli do të vendosë fatin e drejtësisë së re.
Më tej kryeministri tha se presidenti Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi janë armiqtë e Reformës në Drejtësi.
“E pra është koha për të qëndruar shumë drejt. Është koha për të marrë vendim. Do vazhdojmë përpara për të kryer punët që kemi nisur dhe të çojmë në fund këto përpjekje, apo do shkojmë gropë siç kemi shkuar gjithmonë sa herë ata e kanë marrë. Ju ka ngel goja ‘ju futëm në NATO, ju futëm në NATO’. Në NATO na futi Amerika ne, nuk na futën këta.
Mos harroni këto zgjedhje janë zgjedhje që vendosin fatin e drejtësisë. E kemi ngritur me shumë mundim bazën. Ka filluar të çelë me shumë mundim embrioni i drejtësisë së re. Ilir Metës do t’i jepni ju besimin që rri dhe flet me vete sa herë del në televizor dhe pa i thënë kush një në tre fjalë e ka burgu, burgu, burgu, e thotë vetë. Se ça ka ky që i rri mendja te burgu le ta gjejë vetë. Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi janë armiqtë reformës në drejtësi. Janë armiq të drejtësisë së re dhe të pastë. Që po ndërrohet hap pas hapi se nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Drejtësia në Shqipëri bëhet vetëm nëse populli e mbron dhe populli i drejtësisë është 25 Prilli. Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i luftës me armikun e padukshëm është 25 Prill.
Përrallat me mbret duke shpërndarë Euro me llafe duhet t’ju kujtojnë vetëm një gjë, Suden, Vehbiu, Xhaferrin. Nuk ka sot, s’ka pasur kurrë, por nuk ka sot qofte ke daja. Sot secili duhet të ndihmohet, duhet të mbështetet që të mbrojë jetën, të ketë strehën mbi kokë apo të vazhdojë punën e tij. Është një ndarje e prerë mes dy botëve, bota e vaksinimit dhe bota e infektimit, bota e rindërtimit dhe e rishkatërrimit, bota e rrenave dhe bota e kalova lumin mbaje vetë kalin”./tvklan