Zlatan Ibrahimovic ka thënë se jo shumëkush mund ta bëjë atë që po bën ai dhe se nuk ka asgjë për të dëshmuar.
Sulmuesi veteran është kthyer te skuadra e Suedisë, të cilës i ndihmoi të fitonte ndaj Gjeorgjisë (1-0) dhe ndaj Kosovës (3-0).
39-vjeçari asistoi në golin e fitores ndaj gjeorgjianëve, si dhe asistoi në dy golat e parë kundër Dardanëve në “Fadil Vokrri”.
Ibra ka pranuar se situata e tij tashmë ka ndryshuar dhe tash dëshiron të argëtohet në pjesën e mbetur të karrierës.
“Tash jam në një situatë krejtësisht ndryshe. Nuk kam asgjë për të dëshmuar, nuk kam çfarë të bëj tjetër në karrierën time, pos të kënaqem”, ka thënë Zlatan në një konferencë për shtyp, transmeton Football Italia.
“Dua të them, jam 39 vjeç dhe luaj për ekipin kombëtar dhe te Milani. Jo shumëkush në moshën time mund ta bëjë këtë”, është shprehur më tej.
Ibrahimovic, i cili në tetor mbush 40 vjet, ka pasur ndikim të madh te Rossonerët që nga rikthimi duke bërë që skuadra italiane të konkurrojë për titull dhe tash ndodhet në vend të dytë në Serie A.
Po ashtu, edhe në dy ndeshjet me Suedinë ishte vendimtar në triumfet e përfaqësueses së tij.