Ambasadorët e Francës dhe të Gjermanisë në Kosovë janë shprehur optimistë për “kahjen pozitive” që ka marrë dialogu Kosovë-Serbi pas dakordimit të arritur në Ohër më 18 mars, raporton Ekonomia Online.
Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ambasadori francez në Prishtinë, Oliver Guerot, ka thënë se Kosova duhet të fillojë krijimin e Asociacionit, e se kjo është e qartë edhe në tekstin e Aneksit të Implementimit.
Ndërsa nga lideri i Serbisë, ai pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë. Në të kundërtën, sipas tij, do të ketë pasoja për të dyja palët.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj. Guerot i ka quajtur arritje të mëdha këto dakordime.
“Të dy marrëveshjet janë një arritje e madhe dhe udhëheqësit ishin të suksesshme, pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar”, deklaroi Guerot.
“Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar, prandaj do të përpiqemi t’iu themi se çfarë pasoja. Do të thosha se presim nga Qeveria që ta lëshojnë vendimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ky është hapi i parë”.
“Mendoj që kam qenë shumë i qartë. Presim nga Qeveria e Kosovës, siç ceket në Aneks që Kosova të fillojë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të ofrojë garanci për të siguruar një nivel të vetëqeverisjes të komunave me shumicë serbe të Kosovës në pajtim me marrëveshjet dhe për ne teksti është i qartë që flet për krijim të Asociacionit”.
“Dhe unë s’e kam lirinë që t’i zbuloj sekretet këtu”, ka thënë Guerot.
Ambasadori francez theksi se negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel dhe vlerësoi se ky është hapi i parë drejt zbatimit të Marrëveshjes.
Rohde: Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, Serbia ta pranojë perpektivën e Kosovës
Kurse, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur optimist për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ka theksuar se më e rëndësishmja në këtë moment është se marrëveshja është arritur. “Tani kemi edhe vullnetin politik të aktorëve”, tha Rohde.
Ai ka shprehur mendimin se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një “obligim afatgjatë” dhe shtoi se Kosova duhet të respektojë pjesën që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq Serbia nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ambasadori gjerman beson se kjo Marrëveshje do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës.
Edhe diplomati gjerman tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e saj duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Jam optimist sepse ka shumë presion politik. Alternativa tjetër është rruga e mbyllur për BE për të dyja vendet. Të rinjtë po largohen dhe ne duhet të ndryshojmë këtë – e kjo bëhet nga vullneti politik për të ndryshuar”.
“Kosova duhet t’i përmbushë obligimet duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin. Serbia duhet të pajtohet që Kosova është një fqinj që ka perspektivë evropiane”.
Rakiq-Andriq: Nuk ka zbutje të tensioneve në terren dhe deklaratat e zyrtarëve nuk janë premtuese
Milica Rakiq-Andriq, nga Nisma e Re Sociale, ka thënë se mesazhet që po dërgohen nga bashkësia ndërkombëtare sinjalizojnë se ndërmjetësuesit nuk janë të bindur se marrëveshja do të zbatohet shpejt dhe me lehtësi.
“Nuk ishte e mençur të shpallej aneksi deri të përkufizohej zbatimi i tij. E vështirë të parashihet se çka do të ndodhë. Çështje shumë e vështirë dhe negociata të vështira, dhe nuk e shoh problem që ato të jenë sekrete. Por në terren gjërat realizohen me vështirësi. Veriut nuk i është kumtuar rezultati i dialogut”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, nuk ka zbutje të tensioneve në terren dhe deklaratat e zyrtarëve nuk janë premtuese.
Peci: Kurti dhe Vuçiqi kanë qëllime të kundërta
Ndërsa, drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, beson se Kurti dhe Vuçiqi kanë qëllime të kundërta, por që të dy duan ta zvarrisin zbatimin e marrëveshjes. Prandaj ai është skeptik se marrëveshja do të mund të zbatohet.
“Kemi mbetur prapa dhe kemi arritur deri aty saqë në situata të caktuara ta rrezikojmë edhe sigurinë rajonale, këtu i referohem raportit Kosovë-Serbi. Kurti e Vuciqi kanë qëllime të kundërta dhe duan të humbin kohë. Kjo më bënë skeptik se do të zbatohet marrëveshja. Edhe nëse zbatohet shija politike do të jetë e rëndë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”, ka theksuar Peci.
Ish-ambasadori i Kosovës në Beograd ka thënë se duhet kalim i hapit të madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
“Nëse mendojmë që në këtë formë siç jemi tani mund të ecin, do të jetë e vështirë. Kam qenë më optimist. Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po i jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër. Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, ka theksuar Peci.
Marrëveshja drejt normalizimit, ndër të tjera, parasheh respektimin e ndërsjellë të pavarësisë, autonomisë dhe integritetin territorial, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Gjithashtu, Serbia merr përsipër të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkaq marrëveshja parasheh edhe njohjen reciproke të targave, simboleve, dokumenteve, diplomave dhe vulave doganore.
Gjithashtu, në marrëveshje është paraparë edhe një “aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë”, gjegjësisht, një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.
Ky propozim është mbështetur nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkimi Evropian ka njoftuar më herët se kjo Marrëveshje, ndonëse e pa nënshkruar, është ligjërisht obliguese dhe se do të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.