Pas OKB-së, ShBA-ja e refuzon edhe rezolutën e Francës për armëpushim në Gaza

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar draft-rezolutën e Këshillit të Sigurimit me të cilën bëhet thirrje për armëpushim mes Izraelit e Hamasit.

Sipas Shteteve të Bashkuara, rezoluta e paraqitur nga Franca do të ndërhynte në përpjekjet e administratës së presidentit Biden për t’u dhënë fund luftimeve, shkruan Independent.

Franca e hartoi këtë draft-rezolutë, pasi Shtetet e Bashkuara më parë bllokuan së paku katër përpjekje që Këshilli i Sigurimit të dilte me deklaratë të përbashkët për të bërë thirrje për ndaljen e luftimeve në Gaza dhe Izrael.

Shtetet e Bashkuara kanë histori të gjatë të bllokimit të kritikave ndaj Izraelit në deklaratat zyrtare të Kombeve të Bashkuara, madje duke e përdorur rregullisht veton për këtë qëllim,

Të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, përmes një postimi në rrjetet sociale i falënderoi Shtetet e Bashkuara për parandalimin e publikimit të deklaratës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, kjo deklaratë është e padrejtë.

Pse Këshilli i Sigurimit s’mund të veprojë pa pëlqimin e ShBA-së?

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka 15 shtete anëtare. Prej tyre, pesë shtete janë anëtare të përhershme: Shtetet e Bashkuara, Federata Ruse, Kina, Britania e Madhe dhe Franca.

Dhjetë anëtare të tjera janë të përkohshme dhe aktualisht këto ulëse i kanë: India, Meksika, Norvergjia, Irlanda, Kenia, Nigeri, Estonia, Tunizia, Vietnami dhe Ishujt Saint Vincent.

Shtetet që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit e kanë të drejtës e vetos. Nëse vetëm njëra prej tyre e shfrytëzon këtë të drejtë, asnjë deklaratë nuk mund të miratohet në emër të këtij organi të lartë.

Të ngjashme