Shefi Ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward ka thënë se klubet e futbollit nuk do të shpenzojnë “qindra miliona’ kur të nënshkruajnë me lojtarë gjatë afateve kalimtare. Sipas tij klubet do të jenë të ndërgjegjshme për ndikimin financiar të pandemisë Covid – 19.
Futbolli profesional në Angli është pezulluar më 13 mars për shkak të koronavirusit dhe shumë klube kanë regjistruar humbje, duke u detyruar të dërgojnë në pushim të përkohshëm një pjesë të punëtorëve.
Sipas Woodward, do të ketë periudhë sfiduese sa i takon transferimit të lojtarëve. Ai vlerëson se biznesi nuk do të jetë i zakonshëm, madje as për Man Utd, kur të shqyrtohet angazhimi i lojtarëve të rinj.
“Kemi nevojë për të ditur ndikimin në gjithë industrinë, përfshirë tablonë më të gjerë financiare, para se të mund të flasim për kthim në normalitet”, ka thënë Woodward, përcjell Reuters.
“Mbi këtë bazë, unë mund të ndiej se spekulimet për transferimin e lojtarëve për qindra miliona funte në këtë verë injorojnë realitetin me të cilin përballet sporti”.
Mbrojtësi i Tottenhamit, Jan Vertonghen ka thënë më herët këtë javë se lojtarët e lirë do të jenë më të lakmuar se ata me kontrata, kur të hapet afati kalimtar.