Komuna e Kamenicës së fundmi ka pezulluar reformën në arsim nëpër shkollat e dy fshatrave, atë të Koretinit dhe të Topanicës. Njohësit e arsimit vlerësojnë se në vend ka nevojë për riorganizim të shkollave, veçanërisht në vendet rurale ku numri i nxënësve nëpër klasa është shumë më i vogël, i krahasuar me shkollat nëpër qytet, shkruan Zëri.
Reforma në arsim, e nisur nga kryetari i qytetit të Kamenicës Qëndron Kastrati, ngjalli reagime të shumta në vend. Edhe pse për muaj të tërë u shpreh i vendosur për ta vazhduar reformën në këtë sektor, pas një takimi me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, ai pezulloi reformën në shkollat e dy fshatrave të Kamenicës, atë të Koretinit dhe të Topanicës.