Vargje njerëzish po krijohen para qendrave të vaksinimit kundër Covid-19 në Rumani, në kohën kur ky shtet po përballet me mbushje të spitaleve me pacientë.
Rumania e ka shkallën e dytë më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian, por këtë javë, pas rritjes së numrit të të vdekurve dhe masave të reja kufizuese, një numër rekord i njerëzve po vaksinohen, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në kryeqytetin Bukuresht, Dumitru Banu, 55 vjeç, i cili punon si vozitës, u vaksinua për t’iu shmangur kufizimeve të reja në lirinë e lëvizjes.
Ai tha: “U vaksinova për shkak të kufizimeve si ora policore natën dhe qasja në institucione. Do t’u thosha të gjithëve që të vaksinohen në mënyrë që ta heqim qafe këtë pandemi”, tha rumuni.
Në kohën kur Rumania po shënon shkallë rekorde të infeksioneve, rreth një e pesta e 45.503 viktimave të koronavirusit u shënuan vetëm këtë muaj.
Deri më tani, vetëm 38 për qind e popullsisë e ka marrë dozën e parë të vaksinës. Gati një milion prej tyre janë vaksinuar këtë muaj.