Kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku ka thënë se rezultati i kësaj partie në këto zgjedhje nuk është ai që ka pritur dhe dëshiruar, por thekson është një moment reflektimi, raporton Ekonomia Online.
“Rezultatit i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur, ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shoh. Është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë. Kur qytetarët flasin ne duhet t’i dëgjojmë. Kur populli jep verdiktin, ne duhet ta respektojmë. Këto pesë vite që kam udhëhequr me LDK-në, kam bërë dhe vepruar ashtu siç kam besuar që është më e mira. Megjithatë sot duhet të them hapur se nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kemi bërë fushatë dinjitoze që nuk i ka munguar asgjë në përkushtim, por ky është verdikti qytetar. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, tha ai.
Pas kësaj ai tha se do të thërras Kuvendin e LDK-së.
“Dua të shpresoj që mbështetësit e LDK-së t’i kem përfaqësuar me dinjitet. Një gjë do ta mbaj mend se LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia e Kosovës dhe sot në këtë moment sfide LDK-ja nevojë për unitet. Ka nevojë të dëgjojë më shumë, të rinovohet më shumë ai. Për këtë arsye do të thërras menjëherë kuvendin e LDK-së dhe para tij do ti shpalosi të gjitha çështjet, dhe përgjegësinë që mbaj unë si kryetar”, tha Abdixhiku.